HomeOP EDMungesa e meritokracisë dhe pajisja e shoqërisë me fatalizëm të heshtur/nga Pal...

Mungesa e meritokracisë dhe pajisja e shoqërisë me fatalizëm të heshtur/nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Prof.Dr Pal Nikolli

Meritokracia nuk është vetëm parim organizativ; ajo është baza morale e shoqërisë moderne, instrumenti që lidh përpjekjen individuale me shpërblimin të drejtë dhe me stabilitetin e besimit kolektiv. Kur Alasdair MacIntyre dhe Michael Sandel analizojnë degradimin e shoqërive moderne, ata evidentojnë se mungesa e meritës dhe dominimi i nepotizmit krijon kulturë të fatalizmit, ku qytetari ndjen se përpjekja e tij është e pavlerë, dhe çdo sukses lidhet më shumë me lidhje dhe favorizim sesa me aftësi apo punë të ndershme.

Në Shqipëri, ky fenomen është i pranishëm në të gjitha nivelet: në punësim, në sistemin arsimor, në administratë dhe në funksionimin e institucioneve. Kjo mungesë e besueshmërisë në rregulla dhe aftësi personale ka efekt psikologjik të thellë: qytetari mëson të pranojë padrejtësinë si ligj natyror dhe të heshtë përballë saj. Fatalizmi bëhet një mënyrë mbijetese morale: individi largohet nga përpjekja për të ndryshuar sistemin dhe shpesh largohet fizikisht nga vendi.

Nga pikëpamja filozofike, kjo gjendje lidhet me nocionin e “alienimit” të Karl Marx dhe me idenë e Arendt-it mbi humbjen e hapësirës publike ku qytetari mund të veprojë me liri dhe përgjegjësi. Kur individi kupton se nuk ka mundësi për të ndikuar në jetën publike dhe se meritokracia është mit, ai humb sensin e përfshirjes, besimin në shtet dhe shpresën për të ardhmen. Në këtë kuptim, emigrimi nuk është thjesht ikje nga varfëria materiale, por ikje nga një shoqëri ku aftësia dhe përpjekja nuk shpërblehen – ikje nga sistemi i humbur i drejtësisë morale.

Albert Hirschman në veprën e tij “Exit, Voice and Loyalty” sugjeron se largimi është mënyra më racionale për individin kur sistemi nuk mund të reformohet nga brenda. Në kontekstin shqiptar, qytetari ka zgjedhur exit masiv sepse voice – përpjekja për të ndikuar në sistem – është bërë e pamundur për shkak të mungesës së meritokracisë dhe kapjes së institucioneve. Ky fenomen shndërrohet në cikël të vetvetishëm: largimi i qytetarëve të aftë i lë institucionet në dorë të atyre që përfitojnë nga mungesa e meritës, duke forcuar fatalizmin dhe duke ushqyer eksodin e ardhshëm.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular