Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin një paketë të re dhe të rëndësishme sanksionesh ndaj Rusisë brenda 24 orëve të ardhshme. Lajmin e bëri të ditur Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të shpallim një paketë të re të konsiderueshme sanksionesh kundër Rusisë, ose pas mbylljes së tregjeve sot pasdite, ose nesër në mëngjes,” tha Bessent.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka njoftuar miratimin e paketës së 19-të të sanksioneve kundër Moskës, pasi Hungaria hoqi rezervat e saj.
“Me kënaqësi njoftojmë se shteti i fundit anëtar na ka informuar se është në gjendje të heqë rezervat për paketën e 19-të të sanksioneve. Si rezultat, ka nisur procesi me shkrim për miratimin përfundimtar nga Këshilli. Nëse nuk ka kundërshtime, paketa do të miratohet nesër (e enjte), deri në orën 08:00 të mëngjesit (me orën lokale),” thuhet në deklaratën e presidencës daneze të radhës së BE-së.
Sanksionet e reja vijnë si reagim ndaj agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë, si dhe për të rritur presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Moskës.