Shërbimet digjitale të qeverisë, nëpërmjet zërit buxhetor “e-qeverisja”, janë duke u rritur me shpejtësi në krahasim me funksionet e tjera
Në ndryshimet e fundit buxhetore, buxheti për e-qeverisjen arriti në mbi 20.1 miliardë lekë, më shumë se 200 milionë euro. Shpenzimet për këtë zë pësuan rritje me 15% në krahasim me ndryshimet e qershorit, ndërsa në krahasim me buxhetin fillestar, fondet për e-qeverisjen u rritën me 60%.
Ky trend reflekton zgjerimin e shërbimeve publike online dhe adoptimin në rritje të teknologjive digjitale nga qytetarët dhe bizneset, si pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës publike. Rritja lidhet edhe me shtimin e shërbimeve të reja në portalin qeveritar apo me përmirësimin e aksesit dhe efikasitetit të platformës.
Qeveria shqiptare hyri në histori pasi për herë të parë emëroi ministre një chatbot të inteligjencës artificiale të quajtur “Diella”.
Megjithëse Diella është në strukturën e qeverisë, ajo nuk ka fusha përgjegjësie, por zëri i shpenzimeve për e-qeverisjen, që në thelb lidhet me Diellën, po rritet me shpejtësi.
Qeveria ka kaluar edhe Europën për digjitalizimin e shërbimeve publike, por një pjesë e madhe e popullsisë pa njohuri digjitale paguan të tretë që i ndihmojnë në këto shërbime.
Kancelaritë, zyrat noteriale dhe të tjera këshillimore po përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të e-Albania-s për moshat e treta.
Teksa Shqipëria ka përparuar me investimet në shërbime digjitale, nga ana tjetër njohuritë digjitale të popullsisë janë ndër më të ulëtat në Europë.
Në vitin 2018, financimet për e-qeverisjen ishin 2.3 miliardë lekë. Në 7 vitet e fundit, financimi i shërbimeve publike digjitale është rritur më shumë se 8 herë.