Nga DASHNOR KALOÇI/ Tanush Kaso, ish-i dënuar politik, sot në moshën 89-vjeçare, ishte një nga krerët kryesorë të “Grupit Social-Demokrat” së bashku me Pjetër Arbnorin, Uran Kalakullën dhe të tjerë, i dënuar me 13 vite burg në vitin 1961. Gjatë një dëshmie në emisionin televiziv “Memorie” (nëntor 2020), ku trajtoheshin krimet e komunizmit, Kaso përshkroi procesin e tij hetimor në duart e regjimit të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Ai citon hetuesin e tij, Llambi Gegeni, i cili, pasi pa se Tanushi nuk po pranonte akuzat, i tha me cinizëm: “Dëgjo këto, mor djalë, mos mbaj shpresë tek gjykata, sepse këtu tek ne (në hetuesi), të pritet kostumi, kurse atje në gjyq, ata vetëm sa të vënë kopsat, tek shenjat që i kemi vënë ne. Mbaje vesh mirë këtë që po të them!”. Siç shpjegonte Kaso, mesazhi ishte i qartë: ishte Hetuesia e Sigurimit të Shtetit ajo që vendoste dënimin, ndërsa Prokuroria dhe Gjykatat ishin thjesht fasada, që zbatonin pothuajse pikë për pikë verdiktet e Sigurimit. Kjo praktikë ishte një dëshmi e përsëritur dhe një e vërtetë e mirënjohur nga shtresa e ish-të dënuarve politikë që kaluan në qelitë e atij regjimi.
Megjithatë, siç do të zbulojë ky shkrim bazuar në dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, kjo ishte vetëm njëra anë e së keqes së madhe. Duke hulumtuar dosjet e të njëjtit hetues, Llambi Gegeni, në procese të tjera të viteve 1960-’61, zbulohet një rast unik dhe skandaloz: edhe kur Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, e kryesuar nga Sotir Spiro, kishte vendosur pafajësinë e një të pandehuri (Kristo Budo, i akuzuar si “agjent i Zbulimit grek”) – duke hedhur poshtë akuzën e prokurorit për dënim me vdekje – hetuesi Gegeni refuzoi të zbatonte vendimin për e të pandehurit në sallën e gjyqit. Siç do të dëshmojnë dokumentet, ky akt ishte një shkelje e rëndë ligjore dhe një ngjarje e rrallë, e cila, sipas hulumtimeve tona, nuk u përsërit deri në rënien e regjimit. Vetëm ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu, e urdhëroi Kadri Hazbiun që të mos e lironte Budon (siç kërkonte Gjykata), por ta dërgonte në internim në Ishullin e Zvërnecit.
Këto ngjarje rrëfehen nga vetë Llambi Gegeni në një raport-informacion të datës 24 qershor 1983, të kërkuar nga “Grupi Operativ Special” gjatë procesit hetimor kundër “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”. Megjithëse ky raport u shkrua me qëllimin e qartë për të rënduar pozitën e Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut – si prova që ata “kishin zbutur luftën e klasave” – ky shkrim konfirmon vërtetësinë e tregimit, duke e krahasuar atë me dëshmitë publike të Kristo Budos dhe arkivin e tij personal. Në këtë shkrim, Memorie.al publikon për herë të parë dokumente arkivore sekrete të de-klasifikuara nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (tashmë pjesë e AIDSSH), përfshirë raport-informacionin e Llambi Gegenit, të shoqëruara me faksimilet përkatëse dhe dëshminë e Kristo Budos të bërë publike në vitin 2004.
DOKUMENTI ARKIVOR, KU JEPET NJË BIOGRAFI E SHKURTËR E KRISTO BUDOS, NGA DETYRAT E LARTA QË KISHTE MBAJTUR NGA VITI 1945, DERI NË 1959 QË U ARRESTUA DHE AKZUAT NDAJ TIJ SI AGJENT I ZBULIMIT GREK, E DËNIMIN ME INTERNIM DHE BURG
SQARIM
Në vazhdim të zbatim të detyrave, u takua më datë 24.6.1983, ish-hetuesi i çështjes së ngarkim të Kristo Budos, Llambi Gegeni dhe u pyet lidhur me disa momente të rëndësishme të këtij procesi, të zhvilluar në vitin 1959-’60. Kristo Budo ka qenë kuadër me rëndësi, i cili që nga çlirimi i vendit dhe deri sa u godit në vitin 1959, ka pasur funksione të rëndësishme. Ka qenë kryetar Dege në rrethin e Kolonjës, nënkryetar i Komitetit Ekezekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Fierit, dhe në kryeministri ka mbuluar drejtimin e emigracionit grek.
Në procesin e Leskovikut, implikohet si rezident i Zbulimit grek, ndërsa para luftës, si agjent i Zbulimit gjerman, ndërsa në një proces së Fabrikës së Tullave në rrethin e Fierit, Kristo Budo implikohet dhe për sabotim nga të pandehurit. Ky fakt ndodhet edhe në Historikun e Organeve të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, ky armik nuk dënohet, por vetëm internohet në rrethin e Beratit. Rreth viteve 1979-’80-të, Kristo Budo goditet nga Dega e Punëve të Brendshme Berat, si agjent i Zbulimit grek, por dënohet vetëm për agjitacion e propagandë. Në dhjetor 1982, Kristo Budo përfiton nga amnistia, pasi ishte në moshën mbi 60 vjeç, dhe aktualisht është me banim në qytetin e Beratit.
Gjatë gjithë kohës së tij, ky armik është mbrojtur nga armiqtë Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu.
Punëtori Operativ
Anesti Naçi
Shënim:
Mund të pyetet nëse di gjë për këtë armiq.
Hekuran Isai
RAPORT-INFORMACIONI SEKRET I HETUESIT LLAMBI GEGENI, LIDHUR ME PROCESIN HETIMOR QË I KISHTE BËRË KRISTO BUDOS NË VITIN 1960, SI DHE INCIDENTIN NË GJYKATËN E LARTË, KU PAS DHËNIES SË PAFAJËSISË, AI ME NEVZAT HAZNEDARIN, S’DONIN TA LIRONIN
SEKRET Ekz. Nr. 1
Tiranë, më 24.6.1983
INFORMACION
Në vitin 1959-1960, kam hetuar të arrestuarin Kristo Budo, nga Postenani i Leskovikut, i akuzuar si agjent i vënë në shërbim të Zbulimit grek. Hetimet i kam zhvilluar në Rep. 313 Tiranë (Burgu i Ri, kati i dytë). Gjatë hetimit, Kristoja pranoi se ishte vënë në shërbim të Zbulimit grek nga ana e diversantëve M…S…etj., (në bashkëpunim edhe me babanë e Kristos, Jorgjin), gjatë kohës që ai (Kristoja), ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, Kolonjë. Kristo Budo, përveç të tjerave pranoj, sipas detyrave të dhëna nga Zbulimi grek, ai në favor të këtij Zbulimi, kishte rekrutuar edhe disa persona të tjerë, si J. Z., J. B., (të dy oficerë të organeve të Punëve të Brendshme), të ekzekutuar, Ll. Sh., e persona të tjerë që, tani nuk më kujtohen.
Përveç këtyre Kristo Budo, në hetuesi pranoj se në shërbim të Zbulimit grek, kishte rekrutuar edhe persona të tjerë, dhe vënë në kontakt me agjentë të tjerë të zbulimit të sipërm, gjatë kohës që ishte kryetar i degës së Administratës (apo i ndonjë dege tjetër), në Kryeministri. Midis të rekrutuarëve në rrethin e Tiranës, kishte dhe njerëz me përgjegjësi në Parti dhe në Pushtet (nuk më kujtohen emrat e tyre – janë implikimet në dosjen e tija operative).
Duke marrë parasysh, rëndësinë e deponimeve të këtij agjenti, një ditë vjen në hetuesi armiku Kadri Hazbiu, ish në atë kohë Ministër i Brendshëm, dhe pa prezencën time, si hetues i çështjes, merr takim (vetëm), me të lartpërmendurin dhe se çfarë bisede u bë midis tyre, nuk e di, vetëm di të them se atë ditë, apo të nesërmen kur unë e rimora në hetuesi Kriston, ky i fundit, jo vetëm që nuk pranoi të fliste gjëra të tjera (sepse edhe kishte), por hodhi poshtë të gjitha deponimet e dhëna më parë. Me qëllim që të vihej përsëri në pozitë pohimi, kërkuam që të vinte përsëri Kadri Hazbiu, i cili jo vetëm që nuk erdhi, por ai nuk pranoi as propozimin tonë, për të pyetur me cilësinë e dëshmitarit persona, të cilët ne e shifshim të arsyeshme se nuk prishte punë dhe vërtetonim akuzën e bërë. Përfundimisht, u çua në gjyq me akuzën për tradhti ndaj Atdheut (neni 64 i Kodit Penal), në formën e spiunazhit.
Kishim vetëm katër dëshmitarë, midis të cilëve J.Z., e J. B. (të dy ishin pushkatuar më parë dhe ne kishim vetëm implikimet e tyre), Thanas Thodhoraqin dhe një person tjetër, të gjithë e akuzuan për qenien e tij si agjent i Zbulimit grek, dhe se ishte ai që kishte rekrutuar këta në favor të Zbulimit të sipërm, të cilët ishin dhënë edhe informata të ndryshme, kundër vendit tonë, etj. Gjyqi u zhvillua pranë Gjykatës së Lartë. Prokuror Vangjel Kocani, kryetar i seancës gjyqësore, Sotir Spiro (vdekur). Përfundimisht, prokurori kërkoi dënimin e tij me vdekje, kurse kryetari i seancës, Sotir Spiro, (kërkoj të kundërtën e prokurorit), pafajësi dhe lirimin e tij menjëherë nga burgu.
Meqenëse ne, na ishte thënë përpara se të dilte Kristoja në gjyq, (një nga sekretaret e Gjykatës së Lartë), se Kristos është menduar t’i jepet pafajësia, unë kam vënë në dijeni Nevzat Haznedarin, dhe ky i fundit Kadri Hazbiun, i cili tha: “po t’i këtë ardhur fundit Sotirit, la ta japë një vendim të tillë”, ju shikoni të zhvillohet gjyqi normalisht dhe mos bëni asnjë ndërhyrje. Duke u nisur nga sinjalizimi i mësipërm, në gjyq përveç meje, vjen dhe Nevzat Haznedari, dhe pasi u dha vendimi i gjykatës për pafajësi dhe unë u urdhërova nga Sotir Spiroja, që ta liroja menjëherë Kriston, pa e çuar as dhe në burg, duke e quajtur të padrejtë një vendim të tillë, kundërshtova Sotirin, duke i thënë se nuk e liroj pa urdhër të eprorëve të mi dhe menjëherë dal dhe lajmëroj Nevzatin, i cili më thotë që të mos e lirojmë, por ta çojmë në burg.
Për rrjedhojë, u bënë debate të mëdha në sallonin e Gjykatës së Lartë midis nesh dhe Sotir Spiros dhe Irakli Bozos, që në atë kohë ishte më duket kryetar i Gjykatës së Lartë apo zv.kryetar, e vlen të theksohet se ishte pikërisht Irakli Bozo, që influencoj në dhënien e pafajësisë Kristos, dhe se ishte pikërisht ky që në mënyrë kërcënuese, në sallon më kërcënoj mua, se do të merrte masa, që parashikohen me ligje, etj. Meqenëse urdhri i Gjykatës, nuk u zbatua nga ana jonë, Irakliu mere në telefon tradhtarin Mehmet Shehu, dhe ky i fundit armikun Kadri Hazbiu, i cili në mënyrë urgjente thërret Nevzat Haznedarin në zyrë e, mbasi e kritikon rëndë për moszbatim të vendimit të Gjykatës, i thotë që të merrte masa ndaj meje, dhe të lironte menjëherë nga burgu Kristo Budon, i cili të çohej sipas porosisë së tradhtarit Mehmet Shehu, në internim, në Zvërnec, dhe kështu u veprua.
Llambi Gegeni
Dëshmia e Kristo Budos: “Torturat që më bënin në prezencën e Kadri Hazbiut dhe si më dërguan përsëri në burg, edhe kur Gjykata e Lartë më shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin tim nga salla e gjyqit”
“Në majin e vitit 1959 kur isha me shërbim në rrethin e Tropojës, u arrestova nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se; ‘isha vënë në shërbim të grekëve’. Akuzën e kam hedhur poshtë dhe kam deklaruar si në hetuesi, në tortura dhe në sallën e gjyqit, se kurrë nuk kisha tradhtuar atdheun. Kam kërkuar të bëheshin verifikime, mbasi akuzat nuk ishin të vërteta. Këtë gjë e kam thënë edhe përpara ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut, madje edhe me një letër me shkrim. E kam thënë edhe para Rexhep Kollit, Aranit Çelës, Faik Minarollit, Nevzat Haznedarit, Asaf Kondit etj. U mbajta për dy vite e gjysëm në Hetuesi (birucë), pa më nxjerrë në gjyq dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Gjatë kohës që kam qenë në hetuesi, për muaj e muaj me radhë, më janë bërë tortura nga më çnjerëzoret, të cilat nuk kanë ndodhur as në kohën e inkuizicionit. Këto tortura më bëheshin në pyjet e Qafë-Kërrabës dhe aty më kanë djegur mishrat e trupit me hekur të skuqur në zjarr. Aty më janë hequr të dhjetë thonjtë e këmbëve, duke m’i shkulur një nga një me dhimbje të mëdha, deri sa më binte të fikët. Aty më rrihnin deri sa urinoja gjak dhe këmbët e trupi më ishin nxirë, aty mbahesha nën tortura gjithë ditën dhe vetëm në mbrëmje më sillnin në birucë gjysëm të vdekur. Përveç dhimbjeve, më duhej të përballoja edhe provokimet e njëpasnjëshmes të atyre që fuste në birucën time Nevzat Haznedari, të cilët për mua mbeten njerëzit më të poshtër që kam njohur ndonjëherë.
Në këto tortura merrte pjesë vetë Nevzat Haznedari (drejtor i Hetuesisë në atë kohë), ky njeri mizor, i pashpirt e xhelat, në ndërgjegjen e të cilit rëndojnë aq krime e persekutime, sa është zor t’i përshkruash të gjitha. Ishte ky Nevzat që në kohën e Koci Xoxes në vitin 1948, u kritikua ashpër për dhunën arbitrare. Dhe ja tani në vitin 1960, po ky Nevzat, në një post më të rëndësishëm, përdorte po ato metoda dhune, madje akoma më të rënda, dhe në vend që t’i ndalej dora, për “merita”, gradohet gjeneral?! Në këto tortura anti-njerëzore, marrin pjesë gjithashtu oficerët Asaf Kondi, Irfan Hoxha etj.
Ndërsa oficeri Hilmi Dume, më bënte injeksione, për të mos iu mbetur në dorë. Në prezencën time, Kadri Hazbiu jepte urdhra për tortura. Një ditë më tha: ‘Kam urdhër për të vënë nën torturë’. Kush mund të urdhëronte Kadri Hazbiun, përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, dy diktatorëve më të mëdhenj të shtetit tonë?! Si pjesëmarrës i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe për aktivitet revolucionar, jam burgosur dhe internuar edhe në kampin famëkeq të Prishtinës, por më duhet të pohoj se tortura të tilla, nuk më janë bërë as në okupacionin fashist”.
Budo: Tentativa ime për vetëvrasje!
Tortura të tilla ishin të padurueshme jo më për njerëzit por as dhe për kafshët, prandaj një ditë vendosa që t’i jepja fund jetës sime, duke përplasur kokën me forcë në murin e birucës. U hapën dy plagë, por kafka nuk u ça. Për qepjen e plagëve u suall doktor Llambi Ziçishti. Unë e kisha të qartë se tentativa për vetëvrasje ishte e dënueshme dhe një plus negativ për mua, por në ato kondita që ndodhesha, preferova më mirë vdekjen. Ajo ishte shpëtim. Nuk mjaftuan të gjitha këto e shumë veprime të tjera arbitrare fizike e psikike, por Kadri Hazbiu me Nevzat Haznedarin, arritën deri aty sa që kundra meje, të nxirrnin dëshmitarë persona që ishin dënuar me vdekje, të cilët për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe të nxitur nga Haznedari, bënin lloj lloj shpifjesh e, deponimesh jo të vërteta.
Procesi hetimor
Duhet të pohoj se me procesin tim, nga ana e Prokurorisë janë marrë tre veta: Aranit Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe dy zëvendësit e tij, Faik Minarolli dhe Vangjel Kocani. Dihet se me ligj organet e Prokurorisë, ngarkohen me kontrollin e procesit të hetimit dhe me zbatimin e ligjshmërisë në hetime. Por në rastin tim, ato bënë të kundërtën dhe zbatonin ato që u thoshte Hetuesia, në dëm të të pandehurit dhe të vërtetës. Këtë pohim po e ilustroj me disa shembuj, që kanë të bëjnë vetëm me mua dhe jo me të tjerët. Ishte vetë Aranit Çela që me cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, lëshonte autorizim pas autorizimi për zgjatjen e procesit tim për dy vjet e gjysëm, pa u nxjerrë në gjyq. Këtë gjë nuk e lejonte Kodi Penal.
Ai ishte në dijeni se ndaj meje përdoreshin tortura fizike nga më çnjerëzoret dhe dhuna në hetime, të cilat ndaloheshin me ligj, por Araniti nuk merrte asnjë masë për ndalimin e tyre. E vërteta është se atëhere dhe më vonë, ndaj torturuesëve të mi nuk u mor asnjë masë dënimi. Në letrën time të 7 marsit 1963 dërguar personalisht Aranit Çelës, unë kam folur edhe për torturat që më ishin bërë, por ndonjë përgjigje nuk mora kurrë. Është fakt se zëvendësi i tij, Faik Minarolli, hipte në makinë së bashku me Nevzat Haznedarin, kur më çonin mua për të më torturuar në pyjet e Qafë-Krrabës. Ja pra kjo ishte Prokuroria që kontrollonte procesin hetimor.
Farsa e gjyqit tim
“Gjykimi i çështjes sime ka një histori më vete. Një ditë, përpara se të më nxirrnin në gjyq, më thërriti Nevzat Haznedari e më tha: ‘Letrën që i ke bërë familjes, ne nuk do t’ja japim. Ti kërko mëshirë dhe thuaj se; jam i Luftës dhe i varfër, etj.’ Të veproja siç kërkonte Nevzati, do të thosh të pranoja faje që nuk i kisha bërë kurrë. Mua më gjykoi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë. Trupi Gjykues përbëhej nga koloneli Sotir Spiro (kryetar) dhe nënkolonel Rasim Bazo e Sami Kolaneci, anëtarë. Përfaqësues i akuzës ishte Vangjel Kocani. Sekretare ishte Vangjeli Terova, ndërsa avokat Nexhmedin Shehu. Edhe para gjyqit unë nuk e pranova akuzën as tërësisht dhe as pjesërisht dhe deklarova se kurrë nuk e kisha tradhtuar atdheun. Kërkova që të bëheshin verifikime, pasi akuzat nuk ishin të vërteta. Gjithashtu aty fola dhe për akuzat çnjerëzore që më ishin bërë. Me gjithë refuzimet e prokurorit, trupi gjykues pranoi kërkesat e mija.
Kështu Kolegji Ushtarak, mbas një raporti të gjatë i cili filloi më 21 shtator 1961, u përsërit më 2 tetor 1961 dhe mbasi iu ktheu organeve të Sigurimit dosjen time hetimore si të parregullt, duke caktuar një sërë detyrash për verifikime, thirrje dëshmitarësh, vënie në dosje dokumentesh që mungonin etj., më datën 24 nëntor 1961, mori vendimin përfundimtar, duke më deklaruar mua të pafajshëm për mungesë provash dhe urdhëroi lirimin tim të menjëhershëm nga burgu. Pafajësinë time e kërkoi dy herë dhe avokati im, të cilin e pashë për herë të parë aty në sallën e gjyqit, ku i dhashë edhe akt-akuzën, pasi atij nuk i ishte dhënë as ajo, pa le të takohej me mua në qeli gjatë hetimeve. Megjithatë ai më mbrojti mirë, duke u mbështetur vetëm në seancat gjyqësore, në deponimet e mia, të dëshmitarëve e të dokumenteve që u suallën në gjyq sipas kërkesës sime.
Ajo që ndodhi me mua në sallën e gjyqit, ishte me të vërtetë një skandal i padëgjuar dhe pa precedentë në analet e historisë gjyqësore. Menjëherë sapo u largua trupi gjykues, në prezencën e shumë njerëzve aty në sallë, hyri gjeneral-major Nevzat Haznedari, i shoqëruar me një grup oficerësh, i cili urdhëroi kapterin që të më çonte përsëri në burg. Kapteri iu përgjigj: ‘Si ta çoj në burg zoti gjeneral, ai mori pafajësinë’?! Nevzati i tha: ‘Të urdhëroj unë’. Kështu pas urdhrit të Haznedarit, mua më nisën nëpër korridor për të më çuar në qeli. Aty u ndeshëm me kryetarin e gjyqit, Sotir Spiron i cili i tha kapterit: ‘Ku po e çoni Kristo Budon, pse e ke lidhur, ai ka marrë pafajësinë’?!. Kapteri i shkretë, duke ulur kokën iu përgjigj: ‘Kështu më urdhëroi gjeneral Nevzati’.
Po a mund ta bënte një veprim të tillë me iniciativën e tij Nevzat Haznedari?! Atë dikush e kishte urdhëruar të vepronte ashtu dhe unë mund të them me bindje, se deri aty, nuk mund të arrinte as vetë Kadri Hazbiu. Me anë të atij veprimi, organet e Sigurimit të Shtetit dhunuan, jo vetëm mua, por edhe vetë Gjykatën e Lartë, duke u lënë të kuptonin disa kuadrove kryesor të Drejtësisë që asistuan në fillimin e procesit tim, si: Bilbil Klosi, Ministër i Drejtësisë, Nedret Hoxha, zv.ministër, Irakli Bozo, Frederik Nosi, Llazi Stratobërdha etj., se Sigurimi Shtetit, kishte ‘carta bianka’ nga vetë kreu i tyre, Enver Hoxha, dhe askush s’guxonte ta ngrinte zërin ose t’i kundërshtonte këto organe. Kështu që, në vend që të shkoja pranë familjes, më mbajtën edhe një ditë në burg dhe të nesërmen më internuan për pesë vite në Ishullin e Zvërnecit. Mbas pesë vitesh më arrestuan përsëri dhe më dënuan me 10 vite heqje lirie, të cilat i vuajta të gjitha në burgun e Ballshit. /Memorie.al