HomeAktualitetAnalizë/Sektori minerar në Shqipëri: nga fragmentimi drejt konsolidimit të qendrueshëm - Nga...

Analizë/Sektori minerar në Shqipëri: nga fragmentimi drejt konsolidimit të qendrueshëm – Nga Fatos Çoçoli

Advertismentspot_img

Shqipëria ka akoma minerale: kromin, bakrin, hekur-nikelin, qymyrin, gurët dekorativë, etj. Reformat ligjore të vitit 2017 sollën konsolidim të sektorit. Një pjesë e ndërmarrjeve minerare ka filluar modernizimin e linjave të prodhimit

Nga Fatos Çoçoli

Në dekadën e fundit, sektori minerar shqiptar ka kaluar një proces të thellë transformimi, i cili synon përmirësimin e administrimit të burimeve natyrore, rritjen e transparencës dhe forcimin e kontrollit shtetëror mbi mënyrën e shfrytëzimit të tyre. Këto zhvillime janë produkt i politikave të reja shtetërore dhe i ndërhyrjeve ligjore, që kanë pasur në qendër modernizimin dhe konsolidimin e industrisë minerare.

Nga periudha e pas viteve 90-të, me ndërhyrjet e para reformuese, pas rënies së regjimit komunist, sektori minerar në Shqipëri u përball me një periudhë kaotike, të dominuar nga informaliteti, mungesa e kontrollit shtetëror dhe shfrytëzimi i pakriter i burimeve minerare. Mungesa e rregullimit solli pasoja të rënda: dëmtime në jetën e punëtorëve, degradim të infrastrukturës inxhinierike dhe shkatërrim të vetë burimeve minerare.

Megjithëse specialistë dhe inxhinierë të kohës kërkuan rindërtimin e sektorit mbi baza profesionale, informaliteti vijoi për shumë vite, madje u institucionalizua përmes dokumentacioneve të parregullta dhe mbivendosjeve të shumta në lejet e shfrytëzimit.

Tabela 1. Shqipëria ka një pasuri të konsiderueshme minerare, e cila përfshin:

  • Kromin, ku vendi mbetet një ndër prodhuesit më të njohur në rajon,
  • Bakrin dhe hekur-nikelin, që përbëjnë burime të rëndësishme për industrinë e metaleve,
  • Qymyrin, bitumin, mineralet ndërtimore dhe gurët dekorativë, që kanë gjetur përdorim të gjerë në tregjet vendase dhe të huaja.

Këto burime janë shpërndarë në disa zona kryesore, si Bulqiza, Pogradeci, Librazhdi, Kukësi, Rubiku, Puka dhe Mirdita, të cilat prej dekadash kanë qenë shtylla të ekonomisë lokale.

Viti 2013: Nisma e parë serioze drejt riorganizimit
Një kthesë e rëndësishme ndodhi në vitin 2013, kur nisën përpjekjet e para serioze për sistemimin e situatës në sektorin minerar. Në atë kohë, industria po përballej jo vetëm me kolaps teknik dhe financiar, por edhe me pasoja sociale dhe kriminale në zonat minerare.

U ndërmor një proces i gjerë riorganizimi, që për herë të parë synonte sistemimin e zonave të lejeve të shfrytëzimit. Sipas këtij procesi, lejet më të vjetra ruanin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë në rastet e mbivendosjes, ndërsa lejet e mbivendosura shfuqizoheshin pjesërisht. Ky sistem solli rritje të qartësisë ligjore dhe administrative, por njëkohësisht krijoi efekte anësore, si shfaqja e mikrolejeve, që ishin fragmente të vogla territoriale pa lidhje gjeologjike apo ekonomike me njëra-tjetrën.

Reformat ligjore të vitit 2017: fleksibilitet dhe konsolidim
Në vitin 2017, ndryshimet në ligjin minerar mundësuan për herë të parë transferimin e lejeve minerare të dhëna me procedurë konkurruese. Kjo reformë i dha tregut më shumë fleksibilitet dhe hapi rrugën për konsolidimin e lejeve tek operatorë me kapacitete të qëndrueshme financiare dhe teknike.

Si rezultat, u ul ndjeshëm numri i lejeve të vogla apo joaktive, të cilat historikisht kishin hasur vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe kontraktuale. Megjithatë, kjo risi solli edhe sfida të reja për strukturimin e tregut dhe ndarjen e përgjegjësive në terren.

Tabela 2. Konsolidimi 2017-2025

a. Reformimi i kuadrit ligjor dhe institucional

b. Rritja e investimeve private

c. Përmirësimi i teknologjisë dhe dixhitalizimi

Sfidat aktuale: tregu ndërkombëtar, mungesa e fuqisë punëtore dhe kostot në rritje
Gjatë viteve 2024–2025, sektori është përballur me luhatje të forta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mineraleve, që kanë ndikuar në rentabilitetin e disa shoqërive. Veçanërisht, operatorët që veprojnë në zona me rezerva të kufizuara kanë hasur vështirësi financiare për të përmbushur detyrimin ligjor të vendosjes së garancisë për rehabilitimin mjedisor.
Një tjetër sfidë serioze është mungesa e punonjësve të kualifikuar, të cilët tashmë orientohen drejt tregjeve me paga më të larta. Kjo ka ndikuar në uljen e efikasitetit të operacioneve dhe në zvarritjen e planeve të investimeve.

Kombinimi i këtyre faktorëve me fragmentimin historik të lejeve ka bërë që një pjesë e subjekteve të vogla të mos jenë më ekonomikisht të qëndrueshme. Si pasojë, në dy vitet e fundit është vërejtur një proces i natyrshëm konsolidimi të tregut, ku kompanitë me kapacitete më të mëdha po marrin në administrim lejet e subjekteve të vogla ose joaktive.

Drejt një epoke të re për industrinë minerare
Revokimi i disa lejeve minerare të shpallur ditët e fundit nuk duhet parë thjesht si tregues i vështirësive në sektor apo si masë ndëshkuese, por si pjesë e procesit të pastrimit dhe riorganizimit të tregut.

Në fakt, sektori duket se po hyn në një fazë të re, më të shëndoshë, më të konsoliduar dhe me perspektivë zhvillimi të qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, takimet e fundit të organizuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me aktorët kryesorë të industrisë janë një hap pozitiv drejt një dialogu të qëndrueshëm publik–privat. Aty janë evidentuar problematikat ekzistuese dhe janë artikuluar angazhime konkrete për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe përafrimin e tij me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Rruga përpara: politika të reja zhvillimore dhe vizion strategjik
Nëse ky moment do të shfrytëzohet siç duhet, Shqipëria mund të hyjë në një kapitull të ri të zhvillimit minerar. Kjo kërkon politika të reja.

Tabela 3. Politikat e reja në sektorin minerar

– Parandalimi i fragmentimit të mëtejshëm të lejeve minerare

– Nxitja e bashkimit të zonave me potencial të përbashkët gjeologjik dhe ekonomik
– Orientimi drejt lëndëve të reja kritike dhe strategjike me interes global

– Zhvillimi i industrisë përpunuese, për të rritur vlerën e shtuar të prodhimit kombëtar.

Sfida kryesore mbetet balancimi mes shfrytëzimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, si dhe garantimi që përfitimet e pasurive minerare të reflektohen në mirëqenien e komuniteteve lokale.

Vetëm përmes një qasjeje të tillë, sektori minerar shqiptar mund të arrijë një ekuilibër të qëndrueshëm midis zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore. Reformat ligjore, rritja e investimeve dhe përmirësimet teknologjike kanë krijuar bazën për një industri më të sigurt, më transparente dhe më konkurruese.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular