Në garë për drejtimin e 5 bashkive të vendit janë 12 kandidatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e kandidatëve për zgjedhjet në 5 bashkitë e vendit që do të mbahen më 9 nëntor. Në këto zgjedhje të pjesshme do të garojnë gjithsej 12 kandidatë. Në dy prej bashkive do të jenë nga tre kandidatë.
Në bashkinë Cërrik garojnë Florenc Doka i PS, Eligert Hima i “Shqipëria Bëhet” dhe Amarildo Hoxha, i pavarur, i mbështetur nga partitë opozitare.
Në bashkinë Mat garojnë Altin Bojni i PS, Suzana Pasha e pavarur dhe Eduart Brahilika i pavarur, i mbështetur nga opozita.
Në bashkinë Berat garojnë Ervin Ceca i PS dhe Pavlo Shkarpa i pavarur, i mbështetur nga opozita.
Në bashkinë Tepelenë janë në garë Gramos Sako i PS dhe Gabriel Guma i pavarur, i mbështetur nga PD.
Në bashkinë Vlorë do të kandidojnë Brunila Mersini e PS dhe Dionis Sota i pavarur, i mbështetur nga opozita.
Për Vlorën, KQZ ka refuzuar kandidaturën e Gjergj Nikës me argumentin se, edhe pse si këshilltar nuk kishte nevojë të mblidhte firma, ai duhej të paraqiste një komitet nismëtar për t’u regjistruar si i pavarur.
KAS-i, përmes një mbledhjeje për të shqyrtuar ankesën e shtetasit Gjergj Nikë Nika, për regjistrimin si kandidat për Bashkinë e Vlorës, është rrëzuar.
Gjergj Nika, kërkoi që të merrte pjesë në garën e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 9 nëntorit, si kandidat i pavarur për Bashkinë Vlorë, por, ai nuk u regjistrua nga Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Celibashi cilësoi se Nika duhej të ishte propozuar nga një Komitet Nismëtar dhe të kishte respektuar procedurën, ndaj për këtë arsye, kandidati ankimoi këtë vendim, gjë që u shqyrtua sot, duke e rrëzuar kështu këtë kërkesë të tij.
Lidhur me këtë vendim, Gjergji Nika ka reaguar me një postim në rrjete sociale, duke u shprehur se vendimet e KAS-it janë të ndikuara politikisht.
“Vendimet e KAS-it duken të ndikuara nga linja politike që udhëzon procesin zgjedhor. Pavarësia është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Beteja vazhdon në Kolegjin Zgjedhor”, shkruan ai në rrjete sociale.







