Në podcastin e sotëm të “Flasim”, 26 tetor, kryeministri Edi Rama preku shkurtimisht garën elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Nga kandidatët e PS-së, veçoi dy gra, të cilat sipas tij kanë një vullnet të hekurt në përmbushjen e detyrave dhe që kanë aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale. Kandidaten për Tiranën, Ogerta Manastirliu dhe ajo për bashkinë e Vlorës, Bruna Mersini.
”Dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë që do të drejtohen nga dy gra, që kanë një karrierë shumë të ngjashme në një periudhë të caktuar, kur kanë drejtuar respektivisht rilindjen e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza”, tha Rama.
I cilësoi fituese të padiskutueshme, përballë “shëmbëlltyrës kuptimplotë të disfatës së radhës të kënetës”, referuar opozitës. Për partinë më të madhe opozitare në vend, atë Demokratike, tha “ndjesë pastë PD-ja”, duke treguar kështu se as nuk e konsideron më një forcë kundërshtare të partisë në pushtet.
Nuk la pa ironizuar kandidaturën e pavarur të aktorit të humorit, Florjan inaj, i cili mbështetet nga Partia Demokratike në këtë garë.
“Këneta është kaq e dëshpëruar sa për Tiranën ka nxjerrë një actor humori në rolin e një kandidati gjasme të pavarur që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë pa dallim, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste e ka shkrirë gazit, kur ka ardhur një herë për të luajtur rolin tim. Prandaj unë nuk e gjykoj, hiç as fare, aktorin për rolin e ri që ka marrë se aktorët atë punë kanë, me role jetojnë! Po kush voton mua dhe PS-në, duhet të votojë Ogerta Manastirliun, që t’i japë Tiranës drejtuesin e duhur dhe qeverisë partneritetin e domosdoshëm për të vazhduar pa ndalur punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030, kryeqytetin e Europës së Ballkanit!”, tha kryeministri i vendit.
Aktori Florjan Binaj, i është kundërpërgjigjur kësaj deklarate përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan:
Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë euro qytetarëve duke “i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator!

Kujtojmë se më 6 tetor të këtij viti, në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha tha se “PD-ja mbështet Binajn në zgjedhjet për bashkinë më të madhe në vend”.
“Asnjë hap nuk do të ndërmerret pa kandidatin. Nëse kemi rënë dakord për një kandidat të pavarur, nuk do i diktojmë atij, ai do gjejë ndihmën që kërkon nga forca jonë politike dhe të tjera”, theksoi Berisha atë ditë.







