Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke folur për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, deklaroi se PS dhe PD u bënë bashkë për të goditur sërish partitë e reja. Shehaj tha se opozita nuk duhet shkojë në komisionin e reformës zgjedhore, sepse sa herë është ulur me PS-në, ajo ka dalë e dëmtuar.
“Po të dëgjoje sot opozitën, thoshte se ato të 11 majit janë zgjedhje të vjedhura. Nga lind kjo nevojë për reformën zgjedhore? Sa herë janë ulur, kanë goditur partitë e reja. Kanë dy kryetarët e PS-PD veton, kanë në dorë vendimet për komisionin dhe jemi ne aty kot. Sot votuan komisionin që lind për të vrarë partitë e reja. Kur dëgjoj Taulant Ballën që tregon problemet që kanë zgjedhjet dhe përmend financimet, aty është për tu tallur. Kanë vjedhur paratë, i hedhin nëpër media. Këta fitojnë zgjedhjet e katërta, kur ka ikur një e treta e popullsisë.
Ne nuk duam që të bëhemi pjesë e një farse që e dimë se ku do të na sjellë. Komisioni po bëhet për ta thelluar edhe më keq.
Reforma zgjedhore nuk ka asnjë kuptim, që të ulemi me PS-në për të. Opozita gabon që ulet në tryezë. Çdo herë që opozita është ulur me PS-në, është dëmtuar.
Nëse ndryshon sistemi zgjedhor, ndryshon në favor të maxhorancës. Nuk duhet të ketë fare komision për reformën. Në cilin vend ka reformë pas çdo zgjedhje? Në cilin vend të botës, një parti opozitare që është mashtruar, vijon të ulet në tryezë? Ulen se u thonë: hajdeni se do të dëmtojmë partitë e reja.
Më mirë të rrimë kështu se sa të ulemi në një tryezë ku do të jemi më keq”- tha Shehaj.







