HomeAktualitetKodi i ri, gjyqtari Florjan Kalaja: Sfidon Kushtetutën! Rikthen dënimet fikse që...

Kodi i ri, gjyqtari Florjan Kalaja: Sfidon Kushtetutën! Rikthen dënimet fikse që gjykata i rrëzoi 30 vite më parë

Advertismentspot_img

Kodi i ri Penal, ende në fazë draftimi, po ngjall reagime të forta brenda sistemit të drejtësisë. Një nga kritikat më të ashpra vjen nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili paralajmëron se drafti i paraqitur “rikthen në mënyrë të pashpjegueshme” 11 dënime fikse penale, ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka shfuqizuar të tilla dispozita që në vitin 1996.

Florjan Kalaja

Sipas tij, hartuesit e Kodit, “ose nga padija, ose me ndërgjegje të plotë”, kanë zgjedhur të injorojnë një parim themelor të shtetit të së drejtës, individualizimin e dënimit. Përmes një analize për gazetën “Panorama”, Florjan Kalaja e cilëson këtë si një kthim prapa në historinë e së drejtës penale shqiptare, duke theksuar se çdo ligj që përcakton dënime fikse bie ndesh me Kushtetutën dhe me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas tij, korrigjimi i këtyre dispozitave është urgjent dhe i domosdoshëm përpara se projekti të shkojë për miratim në Kuvend. Përndryshe, Shqipëria rrezikon të përballet me një tjetër krizë ligjore dhe institucionale.

******

FLORJAN KALAJA

Në këtë shkrim të dytë të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” në gazetën “Panorama” kam zgjedhur të trajtoj problematikën e dënimeve penale fikse. Mbledhur aritmetikisht më rezulton se strukturat e sanksioneve penale në draftin e Kodit të ri Penal janë kompozuar 11 herë me dënime penale fikse. Nga leximi tërësor i 952 neneve të këtij drafti më rezulton se ka gjithsej 8 parashikime të dënimit me burgim si dënim fiks dhe 3 parashikime të dënimit me burgim të përjetshëm si dënim fiks.

Për sqarimin paraprak të opinionit publik më duhet të shpjegoj se dënimet penale fikse në drejtësinë penale dhe kushtetuese konsiderohen të gjitha ato dënime, të cilat ligji i kompozon në atë mënyrë që nuk lejojnë hapësirë vlerësimi nga ana e gjykatës, duke mos u parashikuar marzhe maksimale apo minimale për dënimin me burgim apo për dënimin me gjobë apo kur dënimi me burgim të përjetshëm apo ai me vdekje është parashikuar si i vetmi sanksion për veprën penale, duke mos u shoqëruar me alternativën e një dënimi me burgim të kompozuar me marzhe minimum dhe maksimum. Thënë ndryshe, në të gjitha këto raste rezulton se Parlamenti jo vetëm ka parashikuar dënimin, por edhe e ka paracaktuar atë për secilin autor vepre penale, pavarësisht kontributit të dhënë prej tij. Ndërkohë që normalisht Parlamenti vetëm duhet ta parashikojë dënimin dhe caktimin e tij do të duhet ta bëjë gjykata rast pas rasti, përmes vlerësimit të rrethanave konkrete dhe vendimmarrjes gjyqësore të individualizimit të dënimit sipas rrezikshmërisë konkrete të veprës dhe autorit.

Një mënyrë e tillë e kompozimit të strukturës së sanksionit penal është vlerësuar e papajtueshme me standardet kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese në katër vendime, qoftë para Kushtetutës së vitit 1998 dhe pas saj. Kështu, me Vendimin 1/ 1996 Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ndër të tjera nenin 15 të Ligjit 8001/1995, dispozitë e cila parashikonte dënimin fiks prej pesë vitesh burgim për përdorimin publik, fshehjen, zhdukjen, falsifikimin e dokumenteve e veprimeve të tjera të kundërligjshme që përbëjnë vepër penale, duke arsyetuar se kjo mënyrë e individualizimit të dënimit prej ligjvënësit cenon ushtrimin e pushtetit gjyqësor nga gjykatat dhe vlerësimin e rrethanave rënduese dhe lehtësuese sipas rastit. Me Vendimin 13/1997 Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar si të papajtueshme dispozita të Ligjit nr. 8175/1996, konkretisht dënimet fikse me burgim për veprat penale të parashikuara nga 7 nene të tij, duke arsyetuar se në to nuk merren parasysh nga ligjvënësi kërkesat e një sërë dispozitash të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal dhe roli i mbrojtjes mbetet pakuptim e paefekt, pasi masa e dënimit është caktuar nga vetë ligjvënësi dhe se gjykatës i heqin mundësinë e individualizimit të dënimit, duke cunguar kështu funksionin e saj në dhënien e drejtësisë. Në Vendimin 47/2012 Gjykata Kushtetuese ka gjetur të papajtueshme me Kushtetutën paragrafin e fundit të nenit 29 të Kodit Penal, pasi parashikohej detyrimi ligjor aprioristik i gjykatës për të caktuar dy dënime penale kryesore, konkretisht dënimin me burgim dhe atë me gjobë, duke vlerësuar se një ligj i tillë nuk është në proporcion me gjendjen që i ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit e si rrjedhojë me parimin e dhënies së drejtësisë nga ana e gjykatës, pasi i heq kësaj të fundit mundësinë e përcaktimit, rast pas rasti, të dënimit penal sipas rrethanave të çështjes konkrete në shqyrtim. Në Vendimin 9/2016 Gjykata Kushtetuese ka mbajtur të njëjtin qëndrim mbi heqjen e mundësisë së gjykatave për të ushtruar diskrecionin gjyqësor në individualizimin e dënimit penal, duke vendosur të shfuqizojë si të papajtueshëm me nenin 7, 135/1 dhe 145/1 të Kushtetutës, paragrafin e dytë – të shtuar prej ligjvënësit në vitin 2013 – në nenin 55 të Kodit Penal, ku parashikohej detyrimi i gjykatave për bashkimin aritmetik të dënimeve për vepra penale të kryera me armë zjarri ndaj shëndetit dhe jetës. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se qëllimi i ligjvënësit për të detyruar gjykatat, që në caktimin e dënimit për disa vepra të zbatojnë bashkimin aritmetik të dënimeve penale si masë dënimi përfundimtare, duke i hequr atyre mundësinë ta zbatojnë nenin 55 të Kodit Penal të lidhur me nenin 47 të Kodit Penal, përbën cenim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë funksionale të pushtetit gjyqësor.

Gjithashtu më duhet të sjell në vëmendje se, në dokumentin “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, hartuar prej Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në kuadër të mandatit të dhënë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në Qershor të vitit 2015, rezulton se është konstatuar si një problematikë kushtetuese ekzistenca e dënimeve penale fikse në Kodin Penal në katër dispozita të pjesës së posaçme. Ndër të tjera, në këtë dokument parashtrohet se: “Lidhur me dënimin e përjetshëm pas reformës së vitit 2013, në Kodin Penal ky dënim parashikohet në 25 dispozita…. Në mjaft raste të tjera ai madje parashikohet si dënim i vetëm. Kështu, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i shpall dënimet fikse si të papajtueshme me Kushtetutën, ende në Kodin Penal kanë mbetur dënime të tilla si në nenet 109 paragrafi 3, 109/b/ 3, 221 dhe 334/3.”Nga ana tjetër në këtë dokument citohet se: “Ndërkohë për disa vepra penale vazhdon të parashikohet burgimi i përjetshëm edhe kur pasojat vijnë nga pakujdesia”.Më tej citohet se: “Për disa vepra penale, burgimi i përjetshëm është dënim i vetëm, në kundërshtim me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që i ka shpallur dënimet fikse si të papajtueshme me Kushtetutën”. Në përfundimin e analizës së sistemit penal në këtë akt citohet se: “Në tërësinë e tyre, gjetjet e analizës së kreut ‘Analiza e sistemit të drejtësisë penale’ paraqesin probleme të cilat kërkojnë adresim me masa konkrete që garantojnë mirëfunksionimin e këtij sistemi”.

HULUMTIMI STATISTIKOR

Para se të listoj 11 rastet e dënimeve fikse në draftin e Kodit të ri Penal, e vlerësoj të nevojshme të sjell në vëmendje një hulumtim të shkurtër statistikor historik mbi dënimet fikse penale në legjislacionin penal në historinë 113-vjeçare të shtetit shqiptar. Në Kodin Penal të vitit 1952 nuk njihej dënimi me burgim të përjetshëm dhe se sanksionet kryesore të njohura dhe të zbatueshme për krimet e rënda ishin përgjithësisht dënimi me heqje dhe dënimi me vdekje. Dënimi me heqje lirie maksimumin e tij e kishte 25 vjet burgim. Ky Kod parashikonte njëherazi veprat penale civile dhe ato ushtarake. Nga hulumtimi në dispozitat e pjesës së posaçme të tij rezulton të ketë pasur në katër raste parashikime të normave penale që sanksiononin dënime penale fikse. Dënimi me vdekje ishte parashikuar si dënim i vetëm dhe fiks në paragrafin e tretë të nenit 217 të Kodit Penal të vitit 1952, ku parashikohej se vepra penale “Përkrahja pas kryerjes së krimit”, kur kjo vepër bëhej për autorët e krimeve të rënda ndaj pushtetit, por në rrethana më të rënda vepra penale dënohej me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. Më tej dënim fiks penal mund të konstatohet në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 229 të këtij Kodi, i cili parashikonte veprën penale “Arratisja e të arrestuarit dhe të dënuarit”. Në paragrafin e dytë parashikohej se arratisja e të dënuarit me internim nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm, ose gjatë udhëtimit për në atë vend, dënohet me heqje të lirisë baraz me kohën e internimit që mbetet për t’u vuajtur dhe se në paragrafin e tretë të kësaj dispozite parashikohej se kthimi i paligjshëm i të dënuarit me dëbim në vendin ku i është ndaluar qëndrimi, dënohet me internim ose me heqje të lirisë baras me kohën e dëbimit që mbetet për t’u vuajtur. Më tej rasti i tretë ishte neni 330, konkretisht vepra penale “Dorëzimi i forcave ushtarake dhe i mjeteve të luftimit të armikut”, paragrafi i cili parashikonte se, kur kryhej në rrethana rëndonjëse, sanksionohej me dënimin jo më pak se njëzet vjet ose me dënim me vdekje dhe kurdoherë me konfiskimin e pasurisë. Ndërkohë paragrafi i tretë, kur vepra penale kryhej me qëllim favorizimin e armikut, parashikonte vetëm një dënim fiks penal, konkretisht dënimin me vdekje. Rasti i katërt rezulton të jetë neni 331, dispozitë e cila parashikonte veprën penale “Shmangia nga urdhrat për luftim”, duke u parashikuar ndër të tjera se, kur ka rrethana veçanërisht rëndonjëse, dënimi parashikohej fiks dhe konkretisht dënimi me vdekje. Në të gjitha dispozitat e tjera të veprave penale civile apo ushtarake rezulton se nuk ka pasur sanksione penale fikse, të tilla që i heqin mundësinë dhe tagrin kushtetues gjykatës për të ushtruar diskrecionin për individualizimin e llojit dhe masës së dënimit.

Në Kodin Penal të vitit 1977 nuk njihej dënimi me burgim të përjetshëm dhe se sanksionet kryesore të njohura dhe të zbatueshme për krimet e rënda ishin përgjithësisht dënimi me heqje dhe dënimi me vdekje. Dënimi me heqje lirie maksimumin e tij e kishte 25 vjet burgim. Edhe ky Kod përfshinte në vetvete edhe veprat penale civile dhe ato ushtarake. Neni 47 i Kodit Penal të vitit 1977 parashikonte se vepra penale “Tradhtia ndaj Atdheut” është krimi më i rëndë që mundet të kryejë shtetasi dhe megjithatë për të sanksioni penal formulohej në mënyrë alternative me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje. Në këtë Kod teknika ligjore e caktimit të dënimit penal fiks konstatohet vetëm në një dispozitë, konkretisht në nenin 59 të tij, dispozitë e cila parashikonte veprën penale “Përkrahja pas kryerjes së krimit”. Ajo ndër të tjera parashikonte se për krimet e kryera ndaj shtetit sanksioni parashikohej jo më pak se pesë vjet heqje lirie dhe se në pasoja veçanërisht të rënda dënimi penal ishte me vdekje. Kjo do të thotë se, në drejtim të mënyrës së kompozimit të sanksionit penal në raport me ushtrimin e diskrecionit gjyqësor në caktimin e dënimit, rezulton se Kodi Penal i vitit 1977 paraqitet më i emancipuar se sa Kodi Penal i vitit 1952.

Nga ana tjetër rezulton se në Kodin Penal në fuqi rezulton se konstatohen 5 dispozita që sanksionojnë dënime penale fikse. Dënimi më i rëndë penal është dënimi me burgim të përjetshëm, i cili është dënim i ndryshëm nga dënimi me burgim. Dënimi me burgim për krimet parashikohet në pjesën e përgjithshme se jepet nga 5 ditë deri në 35 vjet. Ndryshe nga Kodi Penal i vitit 1952 dhe 1977, Kodi Penal i vitit 1995 nuk parashikon veprat penale ushtarake, për të cilat është miratuar në shtatorin e vitit 1995 Kodi Penal Ushtarak. Rasti i parë i dënimeve fikse të parashikuara në Kodin Penal në fuqi është fjalia e dytë e paragrafit të tretë të nenit 109, konkretisht vepra penale e rrëmbimit të personit me pasojë vdekjen, ku dënimi është një dhe i vetëm, konkretisht dënimi me burgim të përjetshëm. Rasti i dytë është vepra penale e shtrëngimit për marrjen e pasurisë, parashikuar nga paragrafi i tretë i nenit 109/b të Kodit Penal, ku në rast se si pasojë shkaktohet vdekja e personit atëherë, sanksioni penal është një dhe i vetëm, konkretisht dënimi me burgim të përjetshëm. Rasti i tretë është paragrafi i dytë i nenit 221, konkretisht vepra penale e kryengritjes e kryer nga drejtuesit e saj, për të cilën ligji penal parashikon si sanksion vetëm dënimin me burgim të përjetshëm. Rasti i katërt është pika 2 e nenit 334, ku parashikohet se dënimi me burgim për vepra penale të kryera nga grupi i strukturuar kriminal apo nga organizata kriminale dhe për të cilat parashikohet në strukturën e sanksionit dënimi me burgim dhe dënimi me burgim të përjetshëm, atëherë dënimi me burgim që jepet për to është masa fikse dhe pa marzhe minimum dhe maksimum prej 25 vjet burgim. Rasti i pestë është pika 3 e nenit 334 të Kodit Penal, e cila parashikon se kur veprat penale të sjella në vëmendje më lart kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal apo organizatës kriminale, atëherë ato dënohen me burgim të përjetshëm.

Nga ana tjetër rezulton se Kodi Penal Ushtarak nuk ka asnjë dispozitë të pjesës së posaçme që në strukturën e sanksionit të parashikojë dënim fiks. Ky konstatim vlen qoftë për dënimin me burgim, për dënimin me gjobë dhe për dënimin me burgim të përjetshëm. Nga kjo rezyme historike rezulton se ligji penal më i emancipuar deri më sot në këtë drejtim është dhe mbetet pikërisht Kodi Penal Ushtarak. Më tej vjen Kodi Penal i vitit 1977, Kodi Penal i vitit 1952 dhe në fund Kodi Penal i vitit 1995, konkretisht ai që është në fuqi edhe sot.

Në mënyrë të paprecedentë, nga hulumtimi që i kam bërë këto ditë draftit të Kodit të ri Penal, një produkt i mesdekadës së tretë të shekullit XXI, konstatoj se në këtë drejtim ai paraqitet ligji penal (në tentativë) më regresiv dhe represiv në historinë 113-vjeçare të shtetit shqiptar. E pikërisht ky projekt premtohet të jetë Kodi Penal i Shqipërisë në BE në vitin 2030. Në të ka 8 raste të parashikimit të dënimit me burgim me masë fikse dhe pa marzhe minimum dhe maksimum në strukturën e sanksionit dhe 3 raste të parashikimit të dënimit me burgim të përjetshëm si dënim i vetëm dhe fiks. Më duhet të sjell në vëmendje se, ndryshe nga Kodi Penal në fuqi, i cili dënimin me burgim në maksimum e parashikon deri në 35 vjet burgim, drafti i Kodit të Ri Penal në pikën 1 të nenit 72 të tij maksimumin e dënimit me burgim e parashikon 30 vjet. Paralelisht me të neni 71 njeh dhe rregullon si dënim të posaçëm kryesor edhe dënimin me burgim të përjetshëm, i cili duhet të theksohet se është një dënim penal i ndryshëm nga dënimi me burgim.

RASTET E KONTESTUARA

Në mënyrë listuese po i paraqes në vijim të 11 rastet e dënimeve fikse të konstatuara në draftin e Kodit të ri Penal:

1. Pika 1 e nenit 198, vepra penale “Krimet kundër njerëzimit”, ku ndër të tjera parashikohet se “nëse viktima të krimeve të përmendura në këtë paragraf janë të miturit apo persona me aftësi të kufizuara, dënohen me burgim jo më pak sesa 30 vjet ose, me burgim të përjetshëm.”;

2. Pika 1 e nenit 199, vepra penale “Krimet e luftës kundër personave”, ku parashikohet ndër të tjera se “kur si pasojë ka ardhur vrasja apo vdekja e personit, jo më pak sesa tridhjetë vjet ose, me burgim të përjetshëm”;

3. Pika 2 e nenit 200, vepra penale “Krimet e luftës me përdorimin e mjeteve të ndaluara të luftimeve”, ku ndër të tjera parashikohet se “kur si pasojë ka ardhur vrasja apo vdekja e personit, jo më pak sesa tridhjetë vjet ose, burgim të përjetshëm”;

4. Pika 3 e nenit Neni 200, vepra penale “Krimet e luftës me përdorimin e mjeteve të ndaluara të luftimeve”, ku ndër të tjera parashikohet se “Shkaktimi me dashje i vdekjes së viktimës duke përdorur mjetet e përmendura në paragrafin e parë, dënohet me burgim jo më pak sesa tridhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm”;

5. Pika 4 e nenit 431, vepra penale “Pirateria”, ku ndër të tjera parashikohet se “Nëse, qoftë edhe njëra prej vrasjeve, është kryer me paramendim, personi dënohet me burgim të përjetshëm”;

6. Pika 5 e nenit 432, vepra penale “Sulmi ndaj avionëve dhe mjeteve të tjera të transportit”, ku ndër të tjera parashikohet se “Nëse, qoftë edhe njëra prej vrasjeve, është kryer me paramendim, personi dënohet jo më pak se sa tridhjetë vjet ose, me burgim të përjetshëm”;

7. Pika 8 e nenit 798, vepra penale “Aktet seksuale me të mitur”, ku parashikohet se “8. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e viktimës së mitur, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”;

8. Pika 8 e nenit 804, vepra penale “Prostitucioni i të miturve”, ku parashikohet se “9. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të miturit dënohet me burgim të përjetshëm”;

9. Pika 5 e nenit 830, vepra penale “Rrëmbimi ose mbajtja në gjendje të privimi të lirisë”, ku parashikohet se “5. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja e viktimës, dënohet me burgim të përjetshëm”;

10. Pika 4 e nenit 831, vepra penale “Shtrëngimi për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar”, ku parashikohet ndër të tjera parashikohet se “kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja e viktimës së mitur, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm.”. Në këtë pjesë të rregullimit ligjor rezulton se hartuesi apo hartuesit e draftit të Kodit të ri Penal kanë bërë jo vetëm një normë, por edhe një gafë, që nuk mund të tolerohet për seriozitetin e kohezionin e parashikimeve që duhet të ketë ligji penal. Ndërkohë që pjesa e përgjithshme në pikën 1 të nenit 72 e këtij drafti parashikon se dënimi me burgim në maksimumin e tij është 30 vjet, në pjesën e posaçme pika 4 e nenit 831 parashikon dënimin fiks me burgim në masën 35 vjet. Një rregullim i tillë ligjor është i papranueshëm dhe tregon qartazi mungesën e maturisë dhe kohezionit nëpër 952 dispozitat e draftit.

11. Pika 4 e nenit 832, vepra penale “Zhdukja me forcë”, ku parashikohet se “4. Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen e personit, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.

SHFUQIZIMI NGA GJYKATA

Megjithëse Gjykata Kushtetuese ka që në vitin 1996 që shfuqizon ligje penale me dënime fikse, hartuesit e draftit të Kodit të ri Penal me ndërgjegje të plotë ose nga padija nuk ngurojnë në vitin 2025 të prezantojnë në strukturat e sanksioneve 11 herë dënime fikse penale. Megjithëse analiza e sistemit të drejtësisë në reformën kushtetuese dhe ligjore të vitit 2015–2017 ka evidentuar problematikën kushtetuese të dënimeve fikse në Kodin Penal në fuqi, asgjë nuk është bërë për 10 vjet me radhë në këtë drejtim. Sikur të mos mjaftonte mosbërja asgjë për 10 vite rresht, hartuesit e draftit të Kodit të ri Penal me ndërgjegje të plotë ose nga padija nuk ngurojnë të prezantojnë 11 raste të dënimeve fikse penale në prezantimin pompoz dhe sqimatar me krerë institucionesh të larta të drejtësisë në fundkorrikun e vitit 2025.

Për të gjithë ato që janë marrë dhe po merren me këtë draft duhet të kuptohet që dënimi me burgim është dënim i veçantë dhe i posaçëm në raport me dënimin me burgim të përjetshëm. Si i tillë kushtetutshmërisht nuk mjafton vetëm parashikimi i dënimit me burgim si alternativë sanksioni në raport me dënimin me burgim të përjetshëm. Përkundrazi, ndalimi kushtetues i mosparashikimit të dënimeve penale fikse duhet të veprojë në mënyrë të mëvetësishme për kompozimin e sanksionit të dënimit me gjobë, me burgim dhe më tej edhe për kompozimin e një sanksioni me alternativë dënimin me burgim të përjetshëm. Kjo do të thotë se dënimi me burgim, edhe kur është alternativë apo jo e dënimit me burgim të përjetshëm, duhet të konceptohet si dënim me marzhe minimum dhe maksimum. Përndryshe përbën dënim me burgim fiks dhe si i tillë është i papajtueshëm me nenin 7, 17, 135 dhe 145 të Kushtetutës.

Kjo mënyrë e papajtueshme me Kushtetutën e kompozimit të dispozitave të mëlartme në mënyrë kolaterale shkakton këto probleme kushtetuese dhe ligjore:

i) paqartësi në individualizimin e dënimit për veprat penale të mbetura në tentativë, duke shndërruar në dispozitë të pazbatueshme nenin 30 të draftit ku rregullohet përgjegjësia penale për tentativën;

ii) paqartësi në individualizimin e dënimit për bashkëpunëtorët, duke shndërruar në dispozitë të pazbatueshme nenin 51, 55, 56 dhe 57 të draftit ku rregullohet përgjegjësia penale e bashkëpunëtorëve dytësorë;

iii) paqartësi në individualizimin e përgjegjësisë penale për të miturit, personat nën 21 vjeç apo femrat, ku sipas pikës 2 të nenit 71 të draftit ndalohet dhënia e dënimit me burgim të përjetshëm;

iv) paqartësi në individualizimin e dënimit për personat që kryejnë vepra penale nën efektet e uljes së përgjegjshmërisë mendore apo nën efektet e alkoolit apo lëndëve narkotike, duke pamundësuar zbatimin e pikës 5 të nenit 40 dhe pikës 2 të nenit 41 të draftit;

v) paqartësi në individualizimin e dënimit për bashkëpunëtorin e drejtësisë, duke pamundësuar zbatimin e nenit 60 dhe 144 të draftit;

vi) pamundësimin e realizimit të ekstradimeve në Shqipëri dhe njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale shqiptare jashtë shtetit, pasi ekzistenca e dënimeve penale fikse do të konsiderohet në kundërshtim me nenin 3 të KEDNJ apo edhe me standardet respektive universale të të drejtave të njeriut;

vii) shndërrimin e nenit 5 të draftit të Kodit të ri Penal në dispozitë teorike dhe iluzore apo të gënjeshtërt, pasi në këto raste dënimi penal nuk caktohet as mbi parimet e Kushtetutës, as mbi parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare, as mbi marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe legjislacionin e BE, as në parimin e drejtësisë në përcaktimin e fajësisë, as në parimin e humanizmit dhe as në parimin e proporcionalitetit të dënimit penal.

Të 11 këto dispozita me dënime penale fikse tregojnë konkretisht dhe qartazi një nga problemet më të mëdha të draftit të Kodit të ri Penal, papajtueshmërinë me Kushtetutën. Për më tepër këto 11 parashikime normative të draftit janë disa nga të shumtat raste që do të demonstroj publikisht në vijim në rubrikën “Dilema mbi Kodin e ri Penal”. Këto gabime të papranueshme janë arsye të mjaftueshme se pse turravrapit të marrëzishëm të hartuesve të draftit të Kodit të ri Penal duhet t’i përgjigjet përshtatshëm vetëpërmbajtja dhe maturia institucionale dhe jo t’i atashohet shurdhtazi dhe verbtazi asaj. Nuk duhet të harrohet që po diskutohet për miratimin e “Kushtetutës Negative” të Republikës së Shqipërisë.

Autori, gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular