Shqipëria do të luajë në datën 13 nëntor ndeshjen më të rëndësishme në këto kualifikuese, pasi me një fitore ndaj Andorrës, mund të sigurojë biletën për në “Play Off” të Kupës së Botës. Kuqezinjtë do të synojnë që të kualifikohen për herë të parë, pavarësisht se në raundin tjetër pritet një luftë edhe më e ashpër se kjo në grup, pasi të shumta janë skuadrat pretendente.
Duke parë rivalin që Shqipëria do të ketë përballë, në letër bëhet fjalë për kundërshtar të lehtë dhe që në këto kualifikuese ka vetëm 1 pikë, të marrë pak javë më parë ndaj Letonisë në barazimin 2-2. Megjithatë, në fushë Andorra ka treguar se mund të vërë në vështirësi këdo dhe vetë kuqezinjtë, e kanë provuar diçka të tillë pak vite më parë duke barazuar në shtëpi me rezultatin 2-2.
Ndeshja e fundit e zhvilluar në Andorra, ka folur për Shqipërinë, pasi kuqezinjtë kanë fituar me rezultatin 0-1 falë një goli të shënuar nga Lenjani, në një vit kur në grup ishte edhe Anglia, Polonia, Hungaria e San Marinoja. Kuqezinjtë i mbyllnin kualifikueset me 18 pikë.
FORMACIONI ATËHERË- Në marsin e 2021 kur Shqipëria fitonte 0- 1, kishte një formacion shumë ndryshe nga formacioni me të cilin kuqezinjtë po luajnë sot dhe aktualisht, vetëm 5 lojtarë që kanë luajtur titullar janë ende pjesë e Shqipërisë. Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla ishin të vendosur në mbrojtjen me 3, pasi këtë skemë preferonte Edi Reja. Lojtari i katërt ishte Rei Manaj, që në atë sfidë startonte si titullar në krah me Sokol Cikalleshin.
Pjesë e formacionit startues në atë ndeshje, ishte edhe Elseid Hysaj nga e djathta, por jo mbrojtës pasi Shqipëria luante me rreshtimin 3-5-2 dhe shkodrani kishte më shumë mundësi të luante ofensiv. Në portë, ishte Etrit Berisha, ndërkohë që në mesfushë ishin vendosur Memushaj, Bare, Gjasula dhe Lenjani nga e majta, me këtë të fundit që shënoi dhe gol.
FORMACIONI REZERVË- Shumica e atyre lojtarëve që ishin në stol atë ndeshje, në ndeshjet e fundit kanë qenë titullarë te Shqipëria. Duke nisur që nga porta me Thomas Strakoshën, e duke vazhduar me Ajetin, Brojën, Laçin, Uzunin apo Ylber Ramadanin. Në sfidën e fundit kundër Andorrës, vetëm Laçi, Broja dhe Uzuni u aktivizuan ndërkohë që i katërti ishte Odise Roshi por që nuk është më në Kombëtare.
TË LARGUARIT- Nga skuadra e fundit që ka luajtur në Andorra, ka shumë futbollistë të cilët janë larguar nga Kombëtarja, e shumë të tjerë që ende nuk e kanë mbyllur zyrtarisht me kuqezinjtë por që nuk po ftohen më. Kështu, Berisha duket se e ka humbur vendin në skuadër dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe Baren, Dokën, Memollën, Roshin apo Veselin e Florian Kamberin që asokohe ishte një risi dhe një afrim shumë i bujshëm por që asnjëherë nuk arriti të shfaqte veten e tij.
MUNGESAT- Nga skuadra që ishte herën e fundit në Andorra dhe skuadra që do të luajë pas disa javësh, vetëm Marash Kumbulla që është ende pjesë e kuqezinjve pritet të mungojë. Ky i fundit është dëmtuar pak kohë më parë me Majorkën dhe humbi sfidat e tetorit, ndërsa pjesa tjetër që janë grumbulluar si atëherë, ashtu edhe në këto kualifikuese, pritet të jenë sërish me ekipin, si Ismajli, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Ramadani, Manaj, Broja apo Uzuni.
PËRBALLJET DIREKTE- Shqipëria është përballur 8 herë në histori me skuadrën e Andorrës dhe ka një dominim absolut. Kuqezinjtë kanë fituar 6 ndeshjet mes tyre, teksa një tjetër është mbyllur në barazim para pak vitesh në Shqipëri. Andorra ka mundur të fitojë vetëm 1 herë kundër kuqezinjve në vitin 2002, aty ku Andorra ka fituar në shtëpi me rezultatin 2-0. Në total, kuqezinjtë kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar 4.







