Gjergji Nika ka fituar në Kolegjin Zgjedhor të drejtën për të qenë kandidat i pavarur për zgjedhjet lokale të Vlorës.
Nika e cilëson këtë hap si “fitore e drejtësisë mbi presionet politike“.
Gjergj Nika është regjistruar nga KQZ për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit për Bashkinë e Vlorës si kandidat i pavarur.
Vetëm pak ditë më parë, vetë KQZ e kishte hedhur poshtë kërkesën e tij për kandidim, por sipas asaj që thotë Ilirjan Celibashi, pas shqyrtimit të projektvendimit, Kolegji Zgjedhor vendosi që Nika të jetë kandidat për Bashkinë e Vlorës dhe do të jetë i treti në fletën e kandidimit.
“Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të datës 30 Tetor 2025, shqyrtuam projektvendimin “Për regjistrimin dhe caktimin e numrit rendor në fletën e votimit për kandidatin për Kryetar Bashkie z. Gjergji Nikë Nika, i propozuar nga zgjedhësit, për Bashkinë Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme vendore në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 9 nëntor 2025”.
Vendosëm regjistrimin e z. Gjergji Nikë Nika, si kandidat për kryetar të Bashkisë Vlorë, i propozuar nga zgjedhësit dhe do të renditet i treti në fletën e votimit të njësisë zgjedhore Bashkia Vlorë”, tha Celibashi.
Postimi i Nikës:
Fitore e drejtësisë mbi presionet politike!
Sot, Kolegji Zgjedhor me vendim unanim 5–0 rrëzoi vendimet e KQZ-së dhe KAS-it, duke vulosur të drejtën time për të garuar si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 9 Nëntorit 2025 për Bashkinë Vlorë.
Ky vendim vjen pas presioneve të shumta dhe përpjekjeve të hapura nga partitë e mëdha për të penguar një zë të pavarur në garë.
Por drejtësia foli qartë: askush nuk mund të ndalojë vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo nuk është thjesht një fitore personale — është një fitore për çdo qytetar që nuk pranon të komandohet nga partite, por kërkon ndryshim, ndershmëri dhe zë të lirë për Vlorën.
Unë hyj në këtë garë me forcën e besimit tuaj dhe me vendosmërinë për ta kthyer politikën te njerëzit, jo te partitë.







