Pr.buxheti i vitit 2026 i cili i ka kaluar tashmë në Kuvend për shqyrtim, parashikon rritje të pensioneve.
Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se mandati i katërt i qeverisë do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Ai njoftoi se duke nisur nga janari i voitit 2026, pensionet do të rriten sipas kategorive: pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 1 mijë e 800 lekë; pensioni urban i pjesshëm do rritet me 800 lekë; pensioni rural do rritet me 1 mijë lekë; pensioni familjar do rritet me 700 lekë; dhe pensioni i invaliditetit do rritet me 600 lekë.
“Mbrëmë i përcollëm parlamentit pr.buxhetin e 2026. Jam i lumtur sot se ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky do jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet.
Më në fund nuk jemi më ai vendi që më zor mbahej në këmbë, por me një ekonomi të qëndrueshme që rriten çdo vit.
Mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam, të arrijmë vit pas viti të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori. Pensionistët tanë përveçse do marrin këtë dhjetor bonusin e fund vitit, nga janari do kenë rritje të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm.
Sipas kategorive, në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:
Pensioni urban me vite të plota pune do të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 mijë e 350 që është sot;
Pensioni urban i pjesshëm do të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 12 mijë e 850 lekë që është sot;
Pensioni rural do të shkojë 18 mijë lekë nga 11 mijë e 500 që është sot ;
Pensioni familjar do të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 400 që është sot;
Pensioni i invaliditetit do të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë lekë që është sot.
Nga janari i 2026 pensionet do rriten si vijon: Pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 1 mijë e 800 lekë; Pensioni urban i pjesshëm do rritet me 800 lekë; Pensioni rural do rritet me 1 mijë lekë; Pensioni familjar do rritet me 700 lekë; Pensioni i invaliditetit do rritet me 600 lekë”, deklaroi Rama.







