Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas dhe Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp këtë të martë, më 4 nëntor, në lidhje me progres-raportin e publikuar sot mbi vendet kandidate për anëtarësim, mes të cilave bën pjesë dhe Shqipëria.
Gjatë fjalës së saj, Kallas theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë, madje shtoi se e shikon të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE deri në vitin 2030.
“Zgjerimi mbetet një përparësi politike, një investim gjeopolitik mbi të gjitha. Pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe zhvillimet politike e bëjnë mjaft të rëndësishëm procesin e zgjerimit. Shanset për ta zgjeruar BE-në nuk vijnë shpesh, këtë e dëgjuam në KE, ku u tha ‘o sot o kurrë!’.Nuk do të ketë një rrugë të shkurtër pasi procesi i anëtarësimit është proces që bazohet në merita. Është një mundësi mjaft realiste të kemi disa vende të anëtare të reja brenda vitit 2030, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina. Më pas duhet të punojmë me vendet e tjera, Kosovën, Turqinë… Shqipëria ka një përparim të paprecedentë. Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të jetë një garanci e fortë sigurie, por ndërkaq pavarësisht se është një vend në luftë duhen reforma të thella. Zgjedhjet e mëparshme në Moldavi treguan një rritje po të fortë të dëshirës së qytetarëve të këtij vendi për anëtarësim. Është ngadalësuar procesi i zgjerimit në Kosovë dhe Serbi për shkak të konflikteve mes tyre”, tha Kallas
Ndërsa Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, shprehu vlerësim për mënyrën sesi vendet kandidate kanë reflektuar progres në zhvillimin e reformave. Ajo ripërsëriti se progresi i Shqipërisë është shembullor.
“2025 ishte një vit i rëndësishëm; ka pasur përparim të dukshëm në këtë proces nga shtete kandidate. Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe Moldavia dhe Ukraina, mund të vlerësohen për reformat që kanë realizuar. Shqipëria ka arritur një progres shembullor në grupkapitujt e hapur, dhe i fundit mbetet për t’u hapur në nëntor. Kjo konfirmon atë angazhim politik që ka Shqipëria, dhe perspektivën e qartë që kanë shqiptarët”, tha ajo mes të tjerash.







