Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkroi në anglisht: “Po, ia dolëm! Dhe do të bëjmë gjithçka që të ulemi si të barabartë në tryezën e Bashkimit Europian. Le të ecim përpara, më shpejt, së bashku.”
Këtë reagim, Rama e bëri në Twitter duke shpërndarë një postim të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila më herët kishte shkruar se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë.
“Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një pasqyrim i qartë i angazhimit të fortë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qarta drejt Bashkimit Evropian të shoqërisë së saj.”, shkruante Kos.
Progres-raporti i BE-së për vendet që aspirojnë të anëtarësohen, përfshi edhe Shqipërinë, është publikuar këtë të martë, më 4 nëntor. Në dokument thuhej se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë, një qëndrim që Brukseli e cilëson si dëshmi e besueshmërisë së Shqipërisë si partnere. Raporti vlerëson gjithashtu në përgjithësi reformat, ndërsa kishte edhe disa rekomandime.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Samitin e Zgjerimit të BE-së u shpreh se Shqipëria po lufton korrupsionin dhe se reforma në drejtësi po godet zyrtarë të lartët përfshirë në korrupsion, qoftë majtas apo djathtas.
Ai u shpreh se Shqipëria, brenda vitit 2030, do jetë në tryezën e Bashkimit Europian, falë reformave të thella që po ndodhin në vend.
“Viti 2030 nuk është një datë që e kam parë në ëndërr, por është objektiv, si rezultat i kalkulimeve të thjeshta që kemi bërë. Do arrijmë së bashku të jemi pjesë e familjes evropiane. Ne shpresojmë që Shqipëria të ulet në tryezën e vendeve të BE-së brenda 2030. Integrimi është një proces transparent dhe gjithçka bazohet në meritë. Ne jemi kombi më pro evropian dhe si mund të thoshte Trump, në mbarë globin.
Ne në vendin tonë kemi struktura që luftojnë korrupsionin, në Shqipëri ka shembuj të qartë, që lufta ndaj korrupsionit, shkon përtej fjalëve që ne themi, është reformë e thellë në drejtësi, që shkon në ekuilibër, pa parë majtas e djathtë, për të gjithë politikanët, në qeveri apo në opozitë. Në Shqipëri po ndëshkohen zyrtarë të lartë, kur ata përfshihen në korrupsion. Kur flitet për Diellin, është përfshirë në raste të procedurave të prokurimet, ajo do modernizojë procedurat. Prokurimi publik do jetë me AI”, tha kryeministrin Rama në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Europian.
Rama: Brenda 2027-ës të gjithë tenderat të mbështetura plotësisht në AI
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, 4 nëntor, se brenda vitit 2027, Shqipëria do t’i ketë procedurat e prokurimit publik të mbështetura në inteligjencën artificiale. Deklaratën ai e bëri gjatë samitit të Zgjerimit të BE-së ku tha se ajo do të përfshihet në të gjitha nivelet e prokurimit në tenderat publikë.
“Themi që brenda vitit 2027 do të kemi procedura prokurimi publik të mbështetura plotësisht në inteligjencën artificiale në të gjitha nivelet e prokurimit në tenderat publike”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nuk la pas batutat për Diellën teksa theksoi se sipas ekografive pritet që së shpejti ajo të lindë 83 fëmijë. Sipas Ramës, Shqipëria po e përdor inteligjencën artificiale gjatë negociatave dhe kjo është një nga arsyet pse Tirana zyrtare është më e shpejta në këtë proces. Ai theksoi se vendi ynë e meriton vendin në Europë.
“Jam i sigurt se nuk do bëjmë eksperimente. Kur flitet për Diellën ka 83 fëmijë në pritje. Sipas ekografive kohët e fundit kësaj ministre, ata do të lindin, por ndërkohë do ju them që nuk është diskutuar shumë, fakti që jemi vend në këtë proces zgjerimi që po përdor inteligjencën artificiale në përkthimin e dokumentacionit. Jemi më të shpejtët në këtë proces që nuk ka ndodhur në asnjë rast tjetër jo vetëm në mënyrën e përkthimit të legjislacionit europian, por edhe analizimin e faktit, draftimin e procedurave, përgatitjen e materialeve, paketa të orientimit të legjislacionit shqiptar për t’ia paraqitur edhe parlamentit për t’ia miratuar dhe përshtatur me legjislacionin europian. Do ecim aq shpejt sa të mundemi që të realizojmë këtë proces duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Për të mos harruar vendi ynë në Europë është para së gjithash i merituar sepse Europa është i vetmi vend i preferuar në zemrat e shqiptarëve”, tha Rama.







