“Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Kuvendit për t’u konstituuar në kohë ka prekur seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike”, thuhet në dokumentin e Brukselit.
Komisioni Evropian ka publikuar sot, më 4 nëntor 2025, Raportin e Progresit për Kosovën, ku vlerësohet se vendi ka pasur zhvillim të kufizuar në shumicën e fushave kyçe dhe përballet me ngecje në procesin e integrimit evropian.
Në raport theksohet se Kosova ka shënuar pak përparim në forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, garantimin e lirisë së medias dhe rritjen e efikasitetit të administratës publike. Sipas Komisionit, polarizimi politik dhe bllokadat institucionale kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.
“Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Kuvendit për t’u konstituuar në kohë ka prekur seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike”, thuhet në dokumentin e Brukselit.
Raporti thekson se procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është ngadalësuar për shkak të ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe mungesës së stabilitetit institucional.
Edhe pse qeveria ka mbajtur një qasje pro-evropiane dhe ka promovuar komunikim pozitiv për integrimin, dinamika e brendshme politike ka penguar zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
“Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit mbeten funksionale, por qendërzimi i vendimmarrjes nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson procesin. Kapaciteti i ulët administrativ dhe pozicionet e shumta të përkohshme në administratë ndikojnë negativisht në zbatimin e agjendës evropiane”, thuhet ndër të tjera.
Në raport përmendet edhe nisja e heqjes graduale të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Një nga sinjalet e para pozitive ka qenë mbajtja e takimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në korrik, pas një periudhe të gjatë pezullimi.
Megjithatë, Komisioni nënvizon se çdo lehtësim i mëtejshëm do të varet nga zhvillimet në veri të vendit.
“Hapat e ardhshëm do të ndërmerren vetëm nëse sigurohet ulje e qëndrueshme e tensioneve dhe kalim normal i pushtetit lokal pas raundit të dytë të zgjedhjeve në veri”, thuhet në dokument.
Në vijim, raporti përmend se katër projekte të asistencës teknike janë rikthyer dhe miratuar si pjesë e Programit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, çka përbën hapin e parë drejt rifillimit të bashkëpunimit praktik me BE-në.
Në fushën e të drejtave themelore, Komisioni evidenton mungesë përparimi, veçanërisht në lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve.
“Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por nuk ka shënuar progres në lirinë e medias. Sektori mediatik mbetet pluralist, por përballet me sfida që lidhen me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë ekonomike të mediave”, theksohet në raport.
Përsa i përket dialogut me Serbinë, raporti kritikon të dyja palët për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese. Ai përmend veprimet e njëanshme të Kosovës në veri dhe mungesën e përgjegjësisë së Serbisë për incidentin në Banjskë.
Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mbetet i bllokuar, ndërsa nuk janë ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të marrëveshjes së vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.
Në përfundim, Komisioni thekson se pavarësia e gjyqësorit mbetet e brishtë, reformat po vonohen për shkak të tensioneve politike dhe ndikimit të vazhdueshëm politik në drejtësi.
Sistemi gjyqësor, sipas raportit, ka bazë ligjore solide, por mungon në zbatimin praktik, efikasitet, burime njerëzore dhe luftë efektive kundër korrupsionit.







