HomeOP EDFermeri: i lënë në mëshirën e fatit nga sekti Rama në qeverisje/nga...

Fermeri: i lënë në mëshirën e fatit nga sekti Rama në qeverisje/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj
Nëse ka një figurë që simbolizon më së miri kontrastin midis fjalëve dhe realitetit ekonomik të Shqipërisë, ai është fermeri shqiptar. Sekti Rama e përmend në çdo rast si të mbështetur dhe të mbushur me strategji zhvillimi, por ai mbetet i harruar dhe i braktisur në arën e vet.

Sipas të dhënave të INSTAT, bujqësia kontribuon sot me 16% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, por merr më pak se 2% të investimeve publike. Pra, fermeri merr si mbeshtetje tete here me pak fonde, nga sa kontribuon ne ekonomine tone. Maqedonia e Veriut e mbeshtet fermerin e vet me kater here me shume fonde per hektar, Kosova me tre here me shume.

Sot fermat e vogla, që përbëjnë mbi 90% të totalit të fermave shqiptare, operojnë pa makineri moderne, pa sisteme ujitjeje dhe me qasje të kufizuar në tregje. Ndërkohë, mungesa e zinxhirit të përpunimit bën që prodhimet të mbeten në fusha, të shiten nën kosto ose të hidhen në kanal.

I. Fshati po kthehet në një kujtim!

Shqipëria ka ende më shumë se 300 mijë familje që jetojnë nga bujqësia, por shumica e tyre e bëjnë këtë në mënyrë të pasigurt dhe pa mbështetje të qëndrueshme. Fermerët punojnë me tokë të fragmentuar, me mungesë ujitjeje dhe pa infrastrukturë magazinimi. Ata përballen me kosto të larta prodhimi dhe çmime të ulëta shitjeje, që shpesh nuk mbulojnë as shpenzimet minimale.

Në një realitet ku sekti Rama shpall me hipokrizi gjoja prioritete të reja gati çdo tremujor për bujqësinë, fshati shqiptar po tkurret. Tokat mbeten djerrë, të rinjtë largohen, ndërsa mosha mesatare e fermerit po i kalon të 55 vitet. Në disa zona, fshati është kthyer në një kujtim. Ka vetëm emrin, disa shtëpi, pak të moshuar dhe shumë heshtje e braktisje.

Nga viti 2022 në 2025, çmimet e karburantit, plehrave kimike, pesticideve dhe farërave janë rritur me ritme të pandalshme. Për disa prej tyre janë gati dyfishuar. Ndërkohë, çmimi i prodhimit në treg është shpesh më i ulët se kosto reale. Fermeri shqiptar, që punon tokën me mund, përfundon duke e shitur prodhimin nën kosto, ose duke e hedhur poshtë.

Në tregjet e qyteteve, produktet e importuara, më të lira dhe me mbështetje nga shtetet e origjinës, pushtojnë çdo stendë, duke e bërë të pamundur konkurrencën për prodhuesin bujqësor vendas.

Shumë fermerë ankohen se nuk përfitojnë nga skemat e subvencionit, sepse kanë kritere të heshtura politike, kërkojnë dokumente të shumta, aplikime online që pak i kuptojnë, apo sepse fondet mbarojnë shpejt.

Në këtë mënyrë, fermeri shqiptar mbetet i pambrojtur, i shtyrë të prodhojë pa ndihmë, të shesë pa garanci dhe të jetojë me shpresën e një “viti më të mirë” që rrallë vjen. Në vitin 2024, Shqipëria importoi produkte bujqësore me vlerë mbi 1 miliard euro, ndërsa eksportet bujqësore shqiptare nuk arritën as gjysmën e kësaj shume, në një ekonomi me peshën specifike të bujqësisë më të lartën në rajon si PBB dhe përqindje të popullsisë.

Për konsumatorin, ky realitet përkthehet në mungesë produktesh vendase të freskëta dhe varësi nga jashtë, çka e bën vendin të pambrojtur ndaj çdo krize të çmimeve ndërkombëtare.

II. Sekti Rama e la bujqësinë pa Programet IPARD!

Pezullimi i përkohshëm i programeve IPARD për Shqipërinë nga Bashkimi Europian më 19 korrik 2023 është një nga ngjarjet më të rënda, por edhe më të nënvlerësuara të tre viteve të fundit për sektorin bujqësor shqiptar. Ajo që sekti në pushtet është përpjekur ta paraqesë si një “pauzë të shkurtër” në financime, në realitet ka krijuar një boshllëk të thellë zhvillimor për fermerët dhe agropërpunuesit e vendit.

Programet IPARD (Instrument for Pre-Accession Assistance for Rural Development) janë një nga mekanizmat më të rëndësishëm që BE u ofron vendeve kandidate për t’i ndihmuar të modernizojnë bujqësinë dhe zonat rurale. Nëpërmjet fondeve IPARD, mijëra fermerë shqiptarë kanë pasur mundësinë të blejnë makineri, të përmirësojnë magazinimin, të ndërtojnë sera moderne, pika grumbullimi apo fabrika përpunimi ushqimor.

Dy vite e gjysëm më parë, Komisioni Europian njoftoi pezullimin e përkohshëm të disbursimeve IPARD për Shqipërinë, për shkak të abuzimeve të konstatuara në zbatimin e standardeve të transparencës, verifikimit të fondeve dhe efektit konkret të investimeve të deklaruara. BE me strukturën e saj investiguese OLAF, po zhvillon një hetim të plotë mbi mënyrën se si janë përzgjedhur projektet dhe monitoruar investimet. Në thelb, Brukseli dha një sinjal të fortë mosbesimi ndaj administratës shqiptare që menaxhon fondet bujqësore.

Ky vendim ka prodhuar një efekt zinxhir: qindra projekte janë pezulluar, investimet janë ndalur në mes dhe mijëra fermerë që kishin nisur procedurat kanë mbetur pa përgjigje.

Mungesa e fondeve IPARD ka pasoja konkrete, të rënda dhe të menjëhershme në ndërprerje investimesh . Shumë fermerë kishin marrë kredi në pritje të disbursimit të fondeve IPARD. Tani, ata rrezikojnë falimentimin. Ka pasoja në rënien e besimit në institucionet shtetërore tek ne, pasi pezullimi është një dëshmi se Shqipëria ende nuk ka arritur të krijojë një administratë që garanton transparencë dhe integritet.

Për fermerin shqiptar, çdo vit pa IPARD është një vit pa modernizim. Shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po ecin përpara, ndërsa Shqipëria ka ngecur në pellgun e korrupsionit dhe abuzimeve të sektit Rama.

III. Fshati shqiptar po humbet rolin si shtyllë e jetës kombëtare

Fshati shqiptar po humbet rolin e tij si shtyllë e jetës kombëtare. Pa bujqësi aktive, po zhduket një mënyrë jetese, një kulturë dhe një traditë.

Sot, në vend të prodhuesve, kemi konsumatorë. Në vend të tregjeve lokale, kemi supermarkete me produkte të importuara. Ky është ndryshimi i heshtur dhe i hidhur që po ndodh në Shqipërinë rurale: nga toka te rafti, nga puna te varësia.

Një nga plagët më të mëdha të bujqësisë shqiptare është mungesa e garancive për tregun. Shumë prodhues shohin që produktet e tyre nuk shiten, ose që konkurrohen nga importe më të lira, shpesh me cilësi më të ulët.

Në këtë panoramë, fermeri shqiptar është i pambrojtur në treg: nuk ka garanci për çmimin, nuk ka mbështetje logjistike dhe shpesh as qasje në pika grumbullimi apo frigoriferë.

Ky fenomen nuk është thjesht ekonomik, është shqetësim kombëtar. Një vend pa bujqësi të gjallë humbet sigurinë ushqimore, pavarësinë dhe lidhjen me tokën e vet. Kjo po i ndodh sot Shqipërisë.

xxx

Fermeri nuk kërkon mëshirë, por drejtësi ekonomike: kushte të barabarta me fqinjët e rajonit, ku subvencionet për hektar janë trefish dhe katërfish më të larta, ku prodhimi është i garantuar dhe ku shteti qëndron pranë, jo larg.

Nëse vendi ynë dëshiron të ketë zhvillim të qëndrueshëm, duhet të kthejë sytë nga toka, sepse çdo ekonomi që harron bujqësinë, harron edhe themelet e vetë ekzistencës së saj. Po me Ramën në pushtet, ky kthim vëmendjeje nuk realizohet dot.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular