Rreth 16.2 miliardë lekë apo rreth 168 milionë euro do të shpenzohen për sektorin bujqësor gjatë viti 2026. Buxheti për bujqësinë është rritur me 1.6 miliardë lekë apo rreth 16.5 milionë euro në raport me buxhetin fillestar 2025, por sërish mbetet në nivel të ulët për nevojat aktuale të këtij sektori për mbështetje me qëllim zgjerimin e prodhimit, rritjen e cilësisë dhe eksportin.
Por si shpërndahen këto para?
Pjesa më e madhe e fondeve, afro 7.7 miliardë lekë shkojnë për zërin e zhvillimit rural, ku përfshihet mbështetja direkte për fermerët përmes skemës së subvencioneve, prodhimi bujqësor, blegtoral, agroindustria, etj. Në këtë zë janë shtuar rreth 500 milionë lekë apo 5 milionë euro në raport me vitin e kaluar.
Ndërkohë një zë të rëndësishëm në buxhet zë menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, program për të cilin janë akorduar 3.6 miliardë lekë. Shtesa e fondeve për vitin 2026 për ujitjen dhe kullimin është rreth 7 milionë euro.
Afro 2.9 miliardë lekë do të shkojnë për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, një sektor që ende është problematik, pasi gjatë vitit të fundit, disa ngarkesa të destinuara për eksport, janë kthyer pas për shkak të normave të larta të pesticideve të përdorura. Edhe në këtë zë rezulton një shtesë fondesh prej rreth 3 milionë eurosh.
580 milionë lekë është buxheti që do të shkojë si mbështetje për peshkimin, i cili ka pësuar një rritje shumë të lehtë nga viti i kaluar, 819 milionë lekë për këshillimin e fermerëve dhe informacionin bujqësor, me një shtesë prej 60 milionë lekësh, dhe 25 milionë lekë për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore.
Rritja e buxhetit për bujqësinë kompenson edhe politikën e re fiskale e cila ka për qëllim të mbështesë dhe lehtësojë fermerë, nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësor, duke prezantuar një normë dhe procedurë të re të kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Përmes kësaj skemë, fermerët do të kompensohen me një normë prej 10 për qind për tatimin mbi vlerën e shtuar e paguar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, në funksion të realizimit të aktiviteteve të tij prodhuese bujqësore. Efekt financiar është vlerësuar në rreth minus 1,5 miliardë lekë.







