Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ishte këtë të enjte në nënstacionin “Tirana 2”, ku është investuar për rritjen e kapaciteteve transmetuese, të cilat garantojnë përmirësim të furnizimit me energji për rajonin e Durrësit dhe të gjithë zonën Jugperëndimore. Në fjalën e saj, Balluku tha se humbjet e energjisë në rrjet kanë pësuar rënie.
“Jemi në një nivel të kënaqshëm sa i përket humbjeve. Por unë e them gjithmonë në të gjitha takimet ndërkombëtare që kemi që padyshim, pjesa e operatori të transmetimit është pjesa më e rëndësishme që ka sistemi energjetik i një vendi, pasi është edhe ajo që na lidh me rajonin e fqinjët. Duhet thënë që volumet e energjisë elektrike janë rritur shumë në të gjithë rajonit, sidomos gjatë periudhës së verës, duke qenë së Shqipëria është një vend që numri i vizitorëve i shtohet numrit të banorëve duke e rritur me disa fish atë, edhe kërkesën për energji. Dhe gjithë transmetimi që ndodh nga Greqia në Shqipëri dhe anasjelltas, apo edhe linja e Malit të Zi që përdoret për eksportet në Itali janë gjithmonë të ngarkuara. Kjo është arsyeja pse Republika e Shqipërisë, prej kohësh përmes ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është ulur në tryezën e negociatave me ministrinë italiane për të diskutuar për ndërtimin e linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë direkt me brigjet italiane”, tha Balluku.
Ndërkaq, pas përfundimit të këtij nënstacioni do ketë edhe tre linja të tjera, për furnizimin e tre zonave periferike të Tiranës.







