Paketa e re fiskale për 2026 do të sjellë ndryshime edhe për afatin e dorëzimit të faturave të fiskalizuara, që përmbajnë librat e shitjes dhe blerjes së tatimpaguesve.
Në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87, datë 18.12.2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, të ndryshuar” kërkohen ndryshime për shtyrjen me 1 ditë të afatit të plotësimit dhe dorëzimit të librave të shitjes dhe blerjes. Propozohet që nga data 10 e muajit pasardhës e lejuar për plotësimin e librave të shitjes dhe blerjes të përcaktohet si afat data 11 e muajit pasardhës.
Nga muaji mars 2023 librat e shitjes dhe të blerjes transferohen automatikisht nga platforma e faturave në sistemin I-tax. Pas datës 11 mund të bëhet përditësimi i librit që shfaqet në sistemin I-tax të tatimpaguesit. Pra pas kësaj date, tatimpaguesi nëse ka ndryshim mund të çojë variantin e tij të rregulluar.
Në relacionin e draftit theksohet se shtimi i afatit me 24 orë është një masë praktike që do të lehtësojë përpunimin e faturave brenda sistemit të fiskalizimit.
Ekonomistët pohojnë se shtyrja e afatit do t’i kufizojë në kohë për kryerjen e pagesës mujore të TVSH-së që është data 14 e muajit. Furnizuesit e Shërbimit Universal (FSHU) dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) i dorëzojnë faturat e fiskalizuara më datë 10 apo 11 të muajit pasardhës, por që për një biznes që e ka shpenzim kryesor energjinë, si në rastin e prodhuesve kjo shkakton limitim kohe për llogaritjen e TVSH-së.
Përveç këtij ndryshimi, në draft propozohet gjithashtu edhe zgjatja e afatit për fiskalizimin e faturës në rastet e importeve, nga deri në 3 ditë pas vendosjes së mallrave të importit nën regjimin e qarkullimit të lirë, deri në ditën e 7-të të muajit pasardhës nga data e vendosjes së mallrave në këtë regjim.
“Ky ndryshim synon të përshtasë afatin ligjor për fiskalizimin e faturave të importeve me funksionimin praktik të sistemeve elektronike, duke lehtësuar përmbushjen e detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit”, theksohet në relacion.
Për eksportin e mallrave te individët, pra në rastet se blerësi është individ, do të kërkohet saktësim i faturës së fiskalizuar, që do të duhet të përfshihet në te edhe numri personal i identifikimit (ID) të blerësit, për një gjurmueshmëri më të qartë.
Sipas relacionit të draftit, përfshirja e numrit personal të identifikimit (ID) në faturë siguron identifikim të qartë dhe unik të individit, shmang pasaktësitë në procesin e raportimit, si dhe lehtëson verifikimin nga autoritetet tatimore dhe doganore në rastet e kontrolleve apo hetimeve të mëvonshme.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87, datë 18.12.2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, ndër të tjera synon të adresojë nevojat e përshtatjes së legjislacionit tatimor me zhvillimet e fundit në fushën e tatimeve mbi të ardhurat.
Konkretisht ndryshimet e propozuara përfshijnë zëvendësimin e të gjitha referencave në ligj, përkatësisht “tatimi mbi fitimin” dhe “tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël”, për tu zëvendësuar me përkufizimet e reja përkatësisht “tatimi mbi të ardhurat e korporatës” dhe “tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi”, duke siguruar kështu koherencë ligjore dhe përshtatje me kuadrin e ri tatimor.







