Ish-presidenti Hashim Thaçi, i përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, ka njoftuar se do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ky hap vjen pasi Gjykata e Apelit ka refuzuar mocionet e paraqitura nga mbrojtja për veçimin e procedurës dhe kundërshtimin e vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij, duke vlerësuar se ato nuk bien ndesh me juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Për këto dy ankesa, Apeli kishte marrë vendim më 28 tetor të këtij viti. Mbrojtja pretendon se ky vendim nuk ka adresuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të Thaçit.
Ndryshe, mbrojtja kishte argumentuar se duhej veçuar procedura ndaj Thaçit dhe të shtyhej gjykimi derisa të merrej vendimi në rastin për krime lufte, me arsyetimin se ka rrezik që gjykimet paralele të çojnë në konstatime të ndryshme faktike, duke cenuar prezumimin e pafajësisë dhe sigurinë juridike.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.
Sa i përket gjykimit për krime lufte, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se është miratuar kërkesa e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me dëshminë e Wesley Clark, ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë. Gjykata Speciale njofton se do të ketë edhe një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut.
Gjithashtu, këtë javë nuk do të zhvillohen seancat e planifikuara në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes pritet të vazhdojnë nga data 10 nëntor.







