nga Andi Mustafaj
Në monarki apo në republikë, në demokraci apo në autokraci, Historia na mëson një të vërtetë të përsëritur:
rreth drejtuesit mblidhet gjithmonë një oborr i cili krijon mbi të një numër të madh rreziqesh.
Gjatë një procesi të ngadalshëm, dhe të pamëshirshëm, që shfaqet në çdo shekull dhe në çdo sistem, oborri, i cili në fillim shërben si mburojë, kthehet në mur që e pret drejtuesin nga baza dhe nga realiteti.
Edhe në Partinë Demokratike, ky efekt është ndjerë fort por gjatë Foltores arritëm ta thyejmë.
Fjala u çlirua, militantët u respektuan, drejtuesi i dëgjoi drejtpërdrejt, dhe energjitë e fjetura shpërthyen.
Nga foltorja në foltore, lindi një sinergji e re që i dha forcë PD-së dhe ringriti shpresën e demokratëve.
Sa më shumë njerëz hynin në debat, në skenë, në media, aq më e fortë bëhej partia. Ishte prova e gjallë se hapësira e fjalës dhe shpresa që krijonte ishte burimi i energjisë politike.
Fatkeqësisht, me kalimin e kohës oborri filloi të rindërtohej. Pak nga pak, fjala u rrallua, hapësirat u ngushtuan, dhe historia u përsërit.
Kur fjala nuk ka vend të natyrshëm brenda partisë, ajo shpërthen jashtë: në rrjetet sociale, në televizione, në duart e propagandës kundërshtare që e përdor për të na dobësuar.
Efekti i oborrit nuk është thjesht një çështje organizimi të brendshëm. Ai është një problem sociologjik, që dëmton vetë energjinë e një partie politike.
Një problem që e përqendron veprimtarinë e saj në Tiranë, mes katër godinave dhe zbeh deri në zhdukje rolin e militantit, i cili në fakt ka qenë, është dhe do të mbetet, çelësi i suksesit të Partisë Demokratike.
Sa më i ngushtë bëhet oborri, aq më shumë dobësohet lidhja me realitetin. Sa më shumë izolohet drejtuesi, aq më shumë humbet energjinë e bazës.
Për këtë arsye, është jetësore që Partia Demokratike të përqafoj filozofin e hapësirave, atë të fjalës dhe të detyrave.
Jo si luks, por si domosdoshmëri për mbijetesën e saj.
Filozofia e hapësirave është një parakusht për çdo lëvizje të suksesshme përballë regjimit.
Kryetari i Partisë Demokratike duhet të rinisë Foltoret në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
dhe të krijojë një marrëdhënie të re me militantët, në thyerje të efektit të oborrit.
Në fund të fundit, demokracia fillon me fjalën.
Dhe fjala nuk është e askujt tjetër veçse e njerëzve të lirë.







