Kryeministri Edi Rama ka njoftuar rritjen e pagave për punonjësit e OSHEE-së. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit “OSHEE Charge”, nismës më të re për karikimin e automjeteve elektrike në të gjithë vendin, Rama shtoi se ndonëse burimet njerëzore të OSHEE-së nuk përfshihen drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për rriutjen e pagave, për 6800 punonjësit e kompanisë do ketë indeksim të pagave me 6.1%; për të gjithë elektricistët e kompanisë do ketë rritje page me 75 mijë lekë të reja në muaj; për inxhinierët elektrikë rritje page me 12 mijë e 500 lekë të reja në muaj.
“Në kompanitë e këtyre shërbimeve po bëhet punë e posaçme për rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. Jemi dëshmitarë që OSHEE ka realizuar me sukses disa thirrje publike për të marrë teknikë të rinj, ka bërë punë të lavdërueshme dhe për rritjen e kapaciteteve inxhinierike të saj”, deklaroi Rama.
Në vijim, Rama nënvizoi edhe projektet transformuese në sektorin e energjisë, duke theksuar se brenda vitit 2026 do të nisë instalimi i matësave inteligjentë në gjithë rrjetin e shpërndarjes.
“Lajm i mirë që vjen në moment pozitiv për sektorin e energjisë. Është kthyer dhe në sektor ku inovacioni ka zënë hapësirën e vetë dhe ku nuk punohet më në emergjencën e tmerrshme të ditës. Brenda 2026-ës do kemi dhe fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë me një parti të parë prej 350 mijë matësash dhe brenda këtij mandati do përmbyllim këtë proces që patjetër do ulë më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet duke çuar në mesataren e poshtme të BE-së. Por dhe do rrisë cilësisht faturimin e çdo konsumatori duke riparuar të metat e fundit që ka procesi i faturimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te projektet e reja të inovacionit, si ndërtimi i një qendre moderne të të dhënave (datacenter) në bashkëpunim me KESH, dhe interkonjeksioni strategjik me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që do t’i japë Shqipërisë një epërsi të madhe në eksportin e energjisë së rinovueshme.
“Kemi nisur punën po ashtu për të ngritur në Shqipëri një datacenter të fjalës së fundit dhe edhe pse nuk është drejtpërdrejt me OSHEE por me KESH, është një inovsacion që shkon në drejtim që fola, në drejtimin e një kompanie të madhe publike apo sektori strategjik ku përgjegjësia publike në shërbim, është duke u përkthyer dhe në përgjegjësi për materializimin në kohë të atyre që janë bazat e së ardhmes.
Jemi në një proces ku po ecim me interkonjeksionin, projekti madhor kombëtar për interkonjeksionin që faktikisht do e realizojmë si pjesë e një partneriteti strategjik me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara dhe do na japë epërsi të madhe strategjike në aspekt të eksportit të energjisë së rinovueshme.
Këtu vjen pjesa kyçe e gjithë kësaj përpjekje, objektivi më i madh strategjik yni, nga një vend që gjetëm në prag kolapsi energjetik, në vend eksportues neto të energjisë elektrike”, theksoi ai.







