Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Institutin e Kosovës për Krimet e Luftës në dyvjetorin e themelimit të tij. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me punën që po bën institucioni në dokumentimin e krimeve të luftës ndaj popullatës shqiptare nga forcat serbe.
“Pardje IKKL-ja i ka mbushur dy vjet dhe është mbresëlënëse sa angazhim janë bërë në këtë institut. Kur kanë ardhur para një viti, me rastin e vitit të parë të punës. Ka një rritje të materialit arkivor. Ky institut është vendimtar për institucionalizimin e kujtesës kolektive dhe për zbardhjen e plotë të së vërtetës historike”, tha Kurti.
Kurti e quajti Institutin “arkivin e gjenocidit të Serbisë”, që dokumenton spastrimin etnik dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.
“Nuk ka dyshim që vrasja e fëmijëve nga Serbia, e që përbën më shumë se dhjetë për qind të vrasjes së civilëve, së bashku me vrasjen e grave shtatzëna dhe vrasjen e pleqve janë dëshmi e gjencoditi të Serbisë në Kosovë që kanë tentuar atë kohë ta kenë territorin tonë, por pa neve si njerëz, pra kanë synuar shfarosjen. Ky nuk është gjenocidi që ka bërë Serbia në Kosovë, por ky është gjenocidi i fundit, por ky është gjenocidi i katërt. Gjenocidi i parë është në vitet 1875-1880, te paqja e Shën Stefanit. Ai i dyti është ai i Luftërave ballkanike në mesin e dekadës së dytë të shekullit 20, gjenocidi i tretë është në Luftën e Dytë Botërore në vitet 1943, 1945, por edhe ’46 e ‘47 dhe kjo është lufta e vitit 1998 e 1999 e ku bartëse e çlirimit ishte UÇK. IKKL punon për të gjitha krimet e kryera nga Serbia për 125 vjet sa ajo me forcat e saj vriste civil e popullsi të pafajshme”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, falënderoi kryeministrin për vizitën dhe mbështetjen për çdo kërkesë të bërë ndaj qeverisë. Ai tha se kërkohet zgjerim i hapësirave dhe rritje e stafit për të përballuar fluksin e materialeve që po mblidhen çdo ditë.







