Financimi i kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë hyn në një fazë të re vitin që vjen. Sipas projektbuxhetit, dy nga kontratat më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të sistemit, ajo e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe ajo e ofrimit të shërbimit të dializës përfundojnë në 2026.
Të dhënat tregojnë se pagesat për sterilizimin arrijnë kulmin në vitin 2025 me rreth 1.9 miliardë lekë, përpara se të bien ndjeshëm në 2026 në vetëm 500 milionë lekë, për t’u mbyllur më pas plotësisht.
E njëjta prirje vërehet edhe për kontratën e dializës, ku fondet nga 960 milionë lekë në 2025 arrijnë në 815 milionë lekë në 2026, për t’u mbyllur në fund të vitit tjetër.
Shifrat tregojnë se buxheti i shtetit do të çlirohet gradualisht nga dy angazhimet më të rënda financiare në sistemin shëndetësor, të cilat ishin të debatueshme për kosto të larta.
Vlera e përafërt për financimin buxhetor për dy kontratat e sterilizimit dhe dializës në total arriti rreth 250 milionë euro përgjatë 2016-2026.
Kontrata e Laboratorëve, që është planifikuar të zgjasë deri në vitin 2030, po bëhet boshti kryesor i skemës PPP në shëndetësi.
Fondet për laboratorët rriten çdo vit, nga 1.8 miliardë lekë në 2024 në 1.9 miliardë në 2025, për të arritur 2 miliardë në 2026 dhe 2.15 miliardë lekë në 2027. Financimet për këtë kontratë janë dyfishuar në raport me parashikimet fillestare.
Kontratat e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe të dializës, të dyja të nënshkruara në vitin 2016 me afat dhjetëvjeçar, kanë qenë ndër më të kushtueshmet për buxhetin e shëndetësisë.







