HomeOP EDAdem Jashari, shembëlltyra e heroit kombëtar në historinë moderne shqiptare/Nga Halil Teodori

Adem Jashari, shembëlltyra e heroit kombëtar në historinë moderne shqiptare/Nga Halil Teodori

Advertismentspot_img

Nga Halil Teodori
Figura e Adem Jasharit zë një vend të pakrahasueshëm në historinë politike dhe ushtarake të shqiptarëve të Kosovës dhe në vetë ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Në peshën e tij simbolike, në aktin e tij të vetëflijimit, dhe në mënyrën se si ai e konceptoi lirinë si detyrim moral e historik, Jashari tejkalon përmasat e një heroi kombëtar tradicional. Në rrafshin krahasimor, ai rreshtohet pranë figurave të përbotshme të rezistencës, Hektorit të eposit antik, Spartakut të Romës, Simon Bolivarit të Amerikës Latine, por e tejkalon këtë radhitje për shkak të aktit të tij unik, sakrifikimit të tërë familjes në altarin e lirisë. Ky akt, i pandodhur në përmasë dhe intensitet në historinë moderne, e kthen atë në simbol të qëndresës shqiptare dhe në një pikë referimi për studimet mbi kauzat çlirimtare.

Formimi i hershëm dhe konteksti historik

Lindja e Adem Jasharit më 28 nëntor 1955, në ditën emblematike që shënon edhe ngritjen e flamurit të Ismail Qemalit më 1912 dhe kthimin e Gjergj Kastriotit në Krujë, përkon me një nga periudhat më represive të regjimit jugosllav në Kosovë, aksionin famëkeq të çarmatosjes së shqiptarëve, i cili shënjoi me dhunë dhe përndjekje masive popullsinë shqiptare. Familja e tij, e madhe në numër dhe e rrënjosur në tradita të forta shqiptare, ishte një qelizë e natyrshme e rezistencës kulturore dhe morale.

Ademi, i rritur në një ambient ku rrëfimi për luftën dhe lirinë ishte pjesë e jetës së përditshme, e gjeti veten që herët në një hapësirë edukative joformale: Kulla e Jasharëve. Aty, në mbrëmjet me miq e luftëtarë të dikurshëm, ai u ushqye me rrëfime mbi figurat e panteonit kombëtar, Skënderbeun, Azem Galicën, Hasan Prishtinën, Shaban Polluzhën, duke e natyralizuar idenë e rezistencës si një vijimësi historike dhe si një detyrim i trashëguar.

Nga vetëdija kombëtare tek organizimi i rezistencës

Në fund të viteve ’80, në momentin kur Kosova përjetonte shpërbërjen e autonomisë dhe intensifikimin e politikave diskriminuese, Adem Jashari u rreshtua ndër organizatorët kryesorë të protestave dhe rezistencës aktive në Drenicë e Skënderaj. Ky ishte preludi i një faze të re të veprimit të tij, tashmë të strukturuar dhe të ndërgjegjshëm politikisht, që do të kulmonte me formimin e bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Stërvitja sekrete e Jasharit dhe dhjetëra bashkëluftëtarëve të tij në Shqipëri, në vitet 1991–1992, nën koordinimin e institucioneve shtetërore shqiptare, përbën një moment themelor në profesionalizimin e rezistencës së armatosur. Ky bashkëveprim transkufitar e legjitimon, në rrafsh historik, UÇK-në si subjekt të strukturuar të luftës çlirimtare.

Fillimet e aksioneve guerile dhe rritja e autoritetit të Jasharit
Pas kthimit në Kosovë, Jashari u bë qendra gravitacionale e aksioneve guerile në Drenicë, duke koordinuar qindra ndërhyrje kundër forcave serbe, nga viti 1991 deri në vitin 1998. Në këtë periudhë, ai shtrihet si figura kryesore e një brezimi të ri ushtarak që refuzoi pacifizmin si mjet të vetëm politik dhe që artikuloi një koncept të ri të lirisë, të bazuar mbi veprimin e drejtpërdrejtë.
Dënimi me 20 vjet burg në mungesë, i shqiptuar nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës më 1994, e ka vlerën e një vule historike që e shenjoi atë si figurë të padëshiruar nga regjimi serb dhe si kërcënim të deklaruar ndaj aparatit represiv.

Rrethimet e para dhe përplasjet frontale

Rrethimi i parë, më 30 dhjetor 1991, në Kullën e Jasharëve, shënoi ballafaqimin e parë të drejtpërdrejtë dhe të përmasave të mëdha midis grupit të Jasharit dhe forcave serbe. Tërheqja e serbëve, pas një beteje të gjatë, legjitimoi ushtarakisht Jasharin në sytë e popullit dhe krijoi një mit të ri të qëndresës.
Pritja e Rrezallës së Re, më 26 nëntor 1997, përbën një tjetër moment kulmor. Aty Jashari dëshmoi zotërim taktik dhe moral, duke i shkaktuar humbje të rënda forcave serbe dhe duke i dëshmuar opinionit se operacionet guerile shqiptare kishin kaluar në një fazë të re efikasiteti. Në varrimin e mësuesit Halit Geci, publikimi i figurave të UÇK-së me uniformë dhe armë para mijëra pjesëmarrësve, konfirmoi para botës se lëvizja çlirimtare ishte tanimë realitet i pakthyeshëm.
Rrethimi i dytë, më 22 janar 1998, tregoi se Jashari nuk ishte vetëm organizator i rezistencës, por edhe mbrojtës i papërkulur i vatrës familjare, simbolikisht të barasvlershme me vatrën kombëtare.

Fjala e shpirtit si një amanet që duhej mbajtur

Mbetet monumentale shprehja e Adem Jasharit: “Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.”
Kjo thënie e ngjeshur me simbolikë e tejkalon kufirin e një deklarimi spontan; ajo shndërrohet në një metaforë themelore të qëndresës historike shqiptare. Në qendër të saj, “lisi” nuk është vetëm figura e komandantit legjendar, por vetë trupi i kombit, i rrënjosur thellë në tokën e vet, të fushave, maleve dhe kujtesës. “Erërat” marrin kuptimin e të gjitha furtunave politike, shtypjeve sistematike, pushtimeve dhe përndjekjeve shekullore që janë përplasur mbi popullin shqiptar në Kosovë. E megjithatë, rrënjët, simboli i identitetit, i nderit, i dinjitetit dhe i trashëgimisë së qëndresës, nuk janë shkulur.

Në këtë përdorim metaforik, Jashari flet si një figurë që i përket më shumë arketipit sesa individit: ai shfaqet si “lisi i pamposhtur” që sfidon jo vetëm dhunën e momentit, por edhe logjikën e poshtërimit historik. Shprehja bart edhe një dimension antropologjik të rëndësishëm: ideja se një komunitet i fortë, me rrënjë të qëndrueshme në gjuhë, kulturë dhe solidaritet, mund t’i bëjë ballë çdo rrebeshi të kohës.

Pesha e kësaj shprehjeje qëndron në mënyrën se si ajo ngërthen të dy dimensionet e rezistencës: individuale dhe kolektive. Adem Jashari, duke e lidhur veten me simbolin e lisit, e ripohon veten si pjesë të një trungu shumë më të madh, një trungu që nuk thyhet sepse nuk është vetëm. Kjo e bën thënien jo një akt krenarie personale, por një kredo të një populli që ka zgjedhur të mos dorëzohet.

Në rrafshin historiografik, shprehja shndërrohet në një testament të qëndresës së Prekazit, në një sintezë të marrëdhënies mes sakrificës dhe vazhdimësisë. Ajo mbetet sot një referencë e fuqishme e ethosit të rezistencës shqiptare, një deklaratë që vlerësohet jo vetëm për forcën e figurës, por për të vërtetën e thellë që artikulon: se liria nuk mund të shkulet aty ku rrënjët janë mbjellë me ndershmëri, sakrificë dhe përkatësi të palëkundur.

Adem Jashari si simbol i sakrificës dhe rilindjes kombëtare
Në trajtimin akademik të figurës së tij, një nga aspektet më të rëndësishme është unikaliteti i aktit të vetëflijimit. Beteja e marsit 1998, ku Jashari, familja e tij e gjerë dhe të gjithë ata që u mblodhën rreth tij qëndruan deri në fund, e shndërroi kullën në monument të pavdekshëm të qëndresës. Ky akt, më shumë se çfarëdo fjalori politik, e ridimensionoi nocionin e heroizmit në kulturën shqiptare, duke e bërë atë pjesë organike të identitetit të shtetformimit të Kosovës.

Në analizën historike, Adem Jashari nuk perceptohet vetëm si protagonist i një konflikti të armatosur, por si arkitekt i një vetëdije kolektive që ripërkufizoi idenë e lirisë. Ai e ktheu Drenicën në epiqendër të rezistencës, duke e shndërruar atë nga hapësirë gjeografike në hapësirë simbolike, në një pol historik që përcaktoi rrjedhën e ngjarjeve deri në çlirimin e Kosovës.

Adem Jashari si strukturë e kujtesës kolektive

Sot, në studimet për luftën e Kosovës, Adem Jashari njihet si figura që përbashkon tri dimensione,atë të heroit mitik, atë të komandantit strategjik dhe atë të qytetarit që i dha kuptim ekstrem nocionit të sakrificës. Ai mbetet figura më e fuqishme e kujtesës së afërt kolektive shqiptare, një pikë referimi për studimet e rezistencës, për analizat mbi fenomenet e lirisë dhe për hulumtimet mbi identitetin politik të Kosovës moderne.

Në këtë perspektivë, Adem Jashari nuk është thjesht një figurë e historisë së rezistencës, por një paradigmë e shpirtit të papërkulur, një udhërrëfyes moral dhe një strukturë e pashlyeshme në narrativën e shtetformimit shqiptar.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular