Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të dëshmisë së Clarkut, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes, ndërsa seanca e planifikuar për të premten, më 21 nëntor, është anuluar
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, do të paraqitet të hënën, më 17 nëntor, për të dhënë dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të dëshmisë së Clarkut, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes, ndërsa seanca e planifikuar për të premten, më 21 nëntor, është anuluar.
Ndërkohë, dëshminë e tij e ka përfunduar sot Michael Durkee, ish-këshilltar politik i komandantëve supremë të NATO-s në Evropë, i cili pritet ta vazhdojë dëshminë nesër.
Durkee ka treguar para trupit gjykues se gjatë takimit të zhvilluar në mars ose prill të vitit 1999 në Mons të Belgjikës, mes gjeneralit Clark dhe përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO nuk kishte informacion të qartë për kapacitetet ushtarake të UÇK-së.
Në dokumentin e paraqitur në sallë përmendeshin si pjesëmarrës Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj.
Durkee tha se i njihte emrat e tyre, por personalisht kishte takuar vetëm Thaçin dhe Krasniqin. Sipas tij, në atë periudhë Clark kërkonte të kuptonte në çfarë niveli mund të realizohej bashkëpunimi me UÇK-në.
“Ata ishin të gatshëm të gjenin mënyra për të marrë mbështetjen e NATO-s në fushatën ajrore kundër shtypjes serbe”, deklaroi Durkee, duke shtuar se në atë kohë nuk kishte të dhëna të sakta për forcën reale të UÇK-së, por ishte e qartë se ishin të vendosur për pavarësinë nga Serbia.
Po sot, ish-diplomati amerikan Christopher Hill përfundoi dëshminë e tij në të njëjtin proces. Ai u ftua nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi dhe iu përgjigj pyetjeve të avokatëve, prokurorëve dhe trupit gjykues.
Duke iu drejtuar gjyqtarit Fergal Gaynor, Hill tha se nga formimi dhe përvoja e Thaçit nuk rezulton që ai të ketë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në strukturat e brendshme të UÇK-së, por kishte aftësi për të kuptuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, raportojnë mediet e Kosovës.
“Nëse shikoni historikun e Thaçit, nuk ka asgjë që tregon se ai mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së, por në aspektin e jashtëm e kuptonte mirë si funksiononte bota dhe sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre”, tha Hill.
I pyetur nëse UÇK-ja mund të konsiderohej lëvizje çlirimtare e armatosur, Hill u përgjigj pozitivisht, por theksoi se forcat brenda saj nuk ishin gjithmonë të unifikuara.
“Po, ishte një lëvizje çlirimtare, por pyetja është se sa e integruar ishte UÇK-ja, pasi disa grupe vepronin sipas udhëzimeve të tyre”, shtoi ai.
Sipas Hill, në një lëvizje të tillë, udhëheqësi politik luan rolin e një ministri të jashtëm, që përfaqëson interesat e saj jashtë vendit, por nuk është përgjegjës për çështjet e brendshme ushtarake.







