Grupi palestinez islamist Hamas ka kritikuar draft-rezolutën e mbështetur nga SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ardhmen e Gazës, duke e cilësuar atë si “përpjekje për të imponuar një kujdestari ndërkombëtare” mbi rajonin.
Sipas Hamasit dhe organizatave të tjera palestineze, drafti paraqet “rreziqe”, pasi parashikon vendosjen e një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit.
“Formati i propozuar hap rrugën për dominim të jashtëm në marrjen e vendimeve kombëtare palestineze, duke ia kaluar administrimin e Gazës dhe projektet e rindërtimit një strukture ndërkombëtare me kompetenca të gjera, duke u hequr në thelb palestinezëve të drejtën për të menaxhuar çështjet e tyre,” thuhet në deklaratën e Hamasit.
Organizata thekson se përpjekjet humanitare duhet të “realizohen përmes institucioneve palestineze ekzistuese, nën mbikëqyrjen e OKB-së” dhe “duke respektuar sovranitetin palestinez dhe nevojat e popullsisë”.
Hamas shton se ndihma humanitare nuk duhet të përdoret për të “margjinalizuar institucionet palestineze” dhe ripërsërit kundërshtimin e saj ndaj “çdo kushti që lidhet me çarmatosjen e Gazës”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së po shqyrton sot situatën në Lindjen e Mesme, një muaj pasi hyri në fuqi një armëpushim pas më shumë se dy vitesh lufte në Rripin e Gazës. Pritet që draft-rezoluta e paraqitur nga SHBA të diskutohet gjithashtu në mbledhje.
Plani gëzon mbështetjen e disa aktorëve rajonalë, përfshirë Egjiptin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistanin, Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Turqinë.
Vendet perëndimore kërkojnë që plani i paqes për Gazën të marrë formë përmes një mandati zyrtar të Këshillit të Sigurimit.
Përveç parashikimit për çarmatosjen e Hamasit, drafti propozon një fazë të dytë që do të përfshijë vendosjen e trupave të huaja për të stabilizuar territorin bregdetar dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të përbëhet nga teknokratë palestinezë.







