Ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas një takimi që zhvilloi në Tiranë këtë të hënë, më 17 nëntor, me homologen e tij shqiptare Elisa Spiropalin.
Ai shkruan se në asnjë vend tjetër europian nuk ka parë një mbështetje aq të fortë për BE-në se sa në Shqipëri.
“Shqipëria është e vendosur fuqimisht të ndjekë rrugën jo gjithmonë të lehtë drejt BE-së. Në asnjë vend tjetër në rajon mbështetja për BE-në dhe orientimi europian nuk është aq i fortë sa është këtu. E dashur Elisa Spiropali, ne qëndrojmë të vendosur pranë jush dhe do t’ju mbështesim në këtë rrugë.”, shkruan Wadephul.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali e mirëpriti sot në Tiranë, Ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili po zhvillon një tur në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në takimin bilateral, ministri gjerman theksoi përparimin që Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë lidhur me reformat jetike për procesin e anëtarësimit si ato në fushën e sundimit të ligjit .
Të dy ministrat ndanë bindjen se Ballkani Perëndimor është pjesë e natyrshme dhe e pazëvendësueshme e familjes europiane.







