Nga Andi Mustafaj
Në një autokraci moderne,
protesta nuk është thjesht mjet presioni.
Është instrument psikologjik.
Dhe përdorimi i gabuar i saj është dhuratë për regjimin.
Sepse autokracia mbahet gjallë nga një gjë:
perceptimi i forcës.
Jo forca reale por perceptimi.
Në fakt, si çdo sistem i ndërtuar nga njerëzit, edhe autokracitë rrëzohen nga njerëzit.
Ndaj regjimi ka nevojë që qytetarët ta besojnë se ai “nuk rrëzohet dot”.
Këtu fillon problemi ynë.
Ti del në protestë.
Shfryhesh.
Shkarkon energjinë.
Kthehesh në shtëpi.
Regjimi vazhdon të qëndrojë.
Në nënndërgjegjen e shoqërisë mbetet një frazë e thjeshtë:
“Ata janë të dobët. Ai është i fortë.”
Protestë pas proteste, pa plan dhe pa përshkallëzim,
opozita humbet energjinë
dhe regjimi fiton perceptimin.
Partia nuk është krijuar për të bërë protesta.
E kam thënë dhe e kam shkruar:
Partia politike nuk është organizatë protestash.
Në një vend normal, këtë rol e kanë OJQ-të, sindikatat, grupet e interesit, qytetarët aktivë.
Partia i mbështet.
Nuk i prodhon.
Por në Shqipëri, trupat e ndërmjetëm mungojnë.
Ndaj protestat i bën partia.
Dhe në atë moment, partia del nga roli i saj natyral dhe humbet koherencë.
Partia është një rezervuar.
Ka një vend ku futet uji: energjia, njerëzit, shpresa.
Dhe një vend ku del uji: protesta.
Kur hap rezervuarin, energjia del.
Shkarkohet.
Protesta mbaron.
Por kush e mbush rezervuarin?
Këtu kemi dështuar ne.
Ne e hapim rezervuarin sa herë “duhet protestuar”.
Pa ritëm.
Pa plan mbushjeje.
Pa burime të reja energjie.
Pa njerëz të rinj.
Pa lidhje të reja shoqërore.
Pa organizim.
Dhe një ditë… rezervuari shteron.
Si krijohet një cikël proteste që funksionon brenda autokracisë?
1. Mbushja e vazhdueshme e rezervuarit
Jo vetëm zemërim.
Jo vetëm kundërshtim.
Por strukturë, program, hapje, fjalë, organizim.
Qenia kundër diçkaje nuk të bën automatikisht pro diçkaje tjetër.
2. Strategjia e shkallëzimit
Protesta nuk është akt i vetëm.
Është seri aktesh që duhet të kenë rritje, ritëm, kosto politike për pushtetin.
Nëse gjithçka ngec në formën “dalim – bëjmë xhoron – ikim”,
atëherë ne bëhemi karburant i propagandës.
3. Qellimi i matshëm
Protesta duhet të ketë objektiv të qartë:
Çfarë kërkojmë?
Si matet suksesi?
Çfarë ndryshon pas saj?
Pa këto, protesta është vetëm shkarkim i radhës.
4. Fitoret e vogla
Autokracia thyhet me fitore të vogla, jo me një ditë të madhe.
Çdo hap mbrapa i regjimit është fitore që ndërton perceptimin e forcës së opozitës
dhe perceptimi është arma kryesore e betejës politike.
Çfarë ndodh kur nuk i respektojmë këto rregulla?
S’ka përshkallëzim.
S’ka mbushje.
S’ka matje.
Vetëm një xhiro nga bulevardi…
dhe propaganda na ther me sarkazëm:
“Opozita nuk fiton dot asgjë.”
Në këtë mënyrë, ne nuk godasim regjimin.
Ne ushqejmë regjimin.
Ne bëhemi vektorët e tij, jo kundërshtarët e tij.
Pa dashur sigurisht,
Por pak rendësi ka kjo.
Protesta nuk është magji.
Protesta është mekanikë.
Dhe mekanika kërkon strategji.
Kërkon mendim.
Kërkon disiplinë.
Kërkon organizim.
Kërkon një rezervuar që mbushet më shpejt se sa shkarkohet.







