nga Prod.Dr.Pal Nikolli
Ka diçka paradoksale në mënyrën sesi shoqëritë moderne festojnë praninë e grave në politikë. Me të drejtë, ajo shihet si një arritje historike, një triumf mbi shekuj të heshtjes së imponuar. Por pas kësaj fasade lajkatimi, shpesh fshihet një boshllëk i tmerrshëm: praninë e kemi rritur, por zërin nuk e kemi lënë të flasë vetë.
Kur gruaja hyn në skenën e pushtetit, ajo gjen një sallë ku fjalori, ritualet dhe logjika janë ngritur mbi shekuj burrërie. Ajo nuk futet në një hapësirë të virgjër ku të ndërtojë gjuhën e saj; ajo hyn në një tempull të ndërtuar nga një mendësi tjetër, të cilën më pas duhet ose ta përballojë, ose ta marrë përsipër si maskë. Prandaj edhe ndodh që një pjesë e grave – shumë prej tyre të arsimuara, të afta, të përkushtuara – humbasin rrugës atë që i bën të veçanta: origjinalitetin e tyre etik, intuitiv, përbashkues.
Në vend që politika të prekë shpirtin e tyre dhe të ndryshojë për mirë, shpesh janë ato që ndryshojnë për të mbijetuar. Ky transformim nuk vjen nga ligësia, as nga ambicia e verbër, por nga struktura vetë: një lojë e krijuar për burra, e maskuar si neutrale. Aty triumfon logjika e ndeshjes, jo ajo e ndërtimeve të duruara; aty vlerësohet britma, jo fjalimi i matur; aty matet “forca”, por rrallëherë peshohet urtësia.
E kështu lind ajo figurë e re, por njëkohësisht e vjetër: gruaja që bëhet “burrë” për të qenë e dëgjuar. Me një sjellje të ashpër, një retorikë trokitëse, një arrogancë të adoptuar si armaturë, ajo fiton vendin në skenë – por shpesh humbet thelbin e asaj që mund ta kishte bërë një aktore të pazëvendësueshme të ndryshimit. Ajo fiton pushtetin, por humbet mundësinë për të sjellë një kulturë të re pushteti.
Ky është çmimi i padukshëm i integrimit kuptimplotë gjinor: nuk mjafton të futet një grua në sistem, nëse ajo duhet të braktisë thelbin e vet për t’u pranuar prej tij. Barazia e garantuar me kuota nuk mjafton, nëse nuk çon drejt ndryshimit të mënyrës së të menduarit dhe të të vepruarit. Pa këtë, politika mbetet një skenë me aktorë të rinj, por me dramë të vjetër.
Forca e gruas nuk qëndron në imitim, por në autenticitet. Në aftësinë e saj për të sjellë një përmasë të re të vendimmarrjes – jo si kundërshti e burrit, por si plotësim i tij. Empatia nuk është dobësi, durimi nuk është mungesë autoriteti, maturia nuk është shenjë e dorëzimit. Janë forma të tjera të forcës, të cilat politika i ka harruar në rrugën e saj të gjatë, shpesh të shurdhët e të armatosur.
Aty ku gruaja udhëheq me natyrën e saj të pandryshuar, politika bëhet më humane; aty ku ajo detyrohet të adoptojë gjuhën e pushtetit ekzistues, ajo bëhet thjesht një zë tjetër i së njëjtës simfoni të vjetër.
Prandaj pyetja nuk është sa gra kemi në politikë, por sa prej tyre janë të lira të jenë vetvetja. Sepse ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga numrat, por nga zëri. Dhe kur zëri humbet, edhe prania e tyre – sado e dukshme – mbetet një fitore që nuk ndryshon asgjë.
Vetëm atëherë kur gratë hyjnë në politikë jo për të riprodhuar pushtetin, por për ta rigjeneruar atë, do të mund të thuhet se shoqëria ka fituar jo vetëm kuota, por edhe kulturë. E deri atëherë, politika do të vazhdojë të presë ditën kur zëri i gruas do të mos jetë më i heshtur nën maskën e forcës së huazuar.







