Aplikimet për Kredinë e Butë dhe Garancinë Sovrane nga biznese në sektorin e bujqësisë, pranë bankave tregtare mbyllen më datë 20 nëntor 2025. Fermerët dhe agrobizneset të cilët kanë një plan investimi në bujqësi, blegtori, agropërpunim, mekanizimin e bujqësisë, turizëm rural dhe akuakulturë detare, të cilat kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për Kredi të butë me normë interesi 2%, si dhe Garanci Sovrane me 70% kolateral të mbuluar dhe që plotësojnë kriteret e duhura, do të jenë përfituese të këtij instrumenti.
Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro është një instrument i cili është vendosur në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Synimi i këtyre instrumenteve është akses më të madh financiar me fokus investimet që rrisin kapacitetin dhe cilësinë prodhuese në aktivitetet bujqësore.
Qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshje me 11 banka tregtare në vend për të bërë të mundur aplikimin e garancisë sovrane në sektorin bujqësor dhe kreditë duhet të disbursohen jo më vonë se 20 dhjetor 2025.
Garancia stimulon huadhënien nga bankat për ti mundësuar ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë si dhe fermerëve të pajisur me NPT, investime për asete fizike dhe teknologjike që rritin kapacitetet prodhuese, cilësinë e prodhimit dhe eficiencën operacionale të tyre.
Sipas marrëveshjes, qeveria merr përsipër të paguajë 70% të huasë së marrë nga bankat në rastin kur nuk shlyhet nga huamarrësi, por nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave dhe penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar që buron nga huatë.
Referuar marrëveshjes, totali i kredive të dhëna nga bankat për një huamarrës nuk duhet të kalojë vlerën prej 250 mijë euro dhe afati i kredisë nuk mund të jetë më i ulët se tre vjet dhe më i lartë se 5 vjet.
Që të kualifikohen për kredi, subjektet duhet të plotësojnë disa kritere të përcaktuara në marrëveshje.
Konkretisht, aplikanti duhet të jetë subjekt që zhvillon aktivitetin si ndërmarrje mikro, e vogël, e mesme apo fermer me nipt aktiv; të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit; nuk duhet të ketë detyrime të papaguara në momentin e aplikimit; nuk duhet të ketë kredi me probleme; përfaqësuesi i subjektit nuk duhet të jetë gjykuar me vendim të formës së prerë për mashtrim, korrupsion përfshirje në një organizatë kriminale apo çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme që dëmton interesat financiare të fondeve publike si dhe nuk duhet të ketë detyrime në historik dhe në momentin aktual ndaj Ministrisë së Financave që rrjedhin nga skema të mëparshme të garancive shtetërore.







