Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të dielë, më 23 nëntor, një takim në rezidencën e Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammad bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
Takimi u fokusua mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe diskutimin e disa projekteve me peshë të rëndësishme për Shqipërinë, të paktën siç njoftoi vetë Kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Doha, Katar – Në rezidencën e Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammad bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, ku biseduam për thellimin e bashkëpunimit dhe disa projekte me peshë të rëndësishme për Shqipërinë”, shkruan Rama krahas një videoje nga ky takim.
Vizita e kryeministrit shqiptar në Katar zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes së tij në një forum të organizuar nga Universiteti Georgetown, ku ai do të flasë mbi temën “Arti i Qeverisjes: Inovacioni Strategjik i Shqipërisë në Politikën Globale”.
Kjo vizitë synon forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe identifikimin e mundësive për projekte strategjike që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe diplomatik të Shqipërisë.







