Shqipëria është pjesë e rrjetit të zgjeruar të TEN-T, që lidh infrastrukturën e transportit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Europian.
Sipas raportit të vitit 2024 të Komunitetit të Transportit, vendi ynë ka bërë përparime të dukshme në ndërtimin e segmenteve të rrjetit kryesor TEN-T, megjithëse sfidat infrastrukturore dhe institucionale mbeten të konsiderueshme.
Raporti e vlerëson Shqipërinë si një nga vendet që ka bërë përparime të dukshme në rrugët TEN-T, por me ecuri më të ngadaltë në hekurudha dhe transport detar.
Vendi ka përfituar ndjeshëm nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve i BE-së për Ballkanin Perëndimor (EIP), megjithëse vonesat në zbatimin praktik të projekteve mbeten problematike, thuhet në raportin e Komunitetit të Transportit.
Në tërësi, rrjeti shqiptar konsiderohet në përmirësim të vazhdueshëm, por për të arritur përputhshmëri të plotë me standardet e BE-së deri në vitin 2040, kërkohen investime më të mëdha në mirëmbajtje, zbatim i plotë i direktivave europiane dhe koordinim më i fortë rajonal në kuadër të Komunitetit të Transportit.
2024, rrjeti rrugor TEN-T në përputhje 54%
Komuniteti i Transportit vë në dukje se Shqipëria ka bërë progres në rrjetin rrugor bazë të TEN-T. Përputhshmëria e rrjetit bazë me standardet europiane është rritur nga 45% në vitin 2021 në 54% në vitin 2024.
Ndër projektet më të rëndësishme përmendet Thumanë–Kashar, që është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe u hap në vitin 2024, si dhe segmentet e Korridorit VIII në Maqedoninë e Veriut që lidhen me Shqipërinë.
Në përgjithësi, 35% e rrugëve të rrjetit bazë janë në gjendje shumë të mirë, 52% në gjendje të mirë dhe vetëm 13% në gjendje mesatare.
Përmirësimi i rrugëve është shoqëruar me projekte që synojnë futjen e karburanteve alternative dhe stacioneve të karikimit për automjete elektrike, megjithëse kjo infrastrukturë është ende në fazë fillestare.
Qeveria ka përfshirë në Planin Kombëtar të Integrimit Europian 2024–2026 transpozimin e direktivave të BE-së për automjete me energji të pastër dhe planifikon miratimin e legjislacionit për zbatimin e Rregullores (BE) 2023/1804 për infrastrukturën e karburanteve alternative këtë vit.
Portet dhe aeroportet, përputhje e pjesshme
Në rrjetin TEN-T janë përfshirë Porti i Durrësit si nyje bazë dhe portet e Vlorës e Shëngjinit si pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës. Durrësi përmbush pjesërisht kërkesat për terminale intermodale dhe infrastrukturë alternative furnizimi, por ende ka nevojë për përmirësime në menaxhimin e mbetjeve dhe reduktimin e ndotjes në port.
Në sektorin ajror, Aeroporti i Tiranës përmbush standardet bazë të TEN-T, dhe lidhja e tij e ardhshme me linjën hekurudhore Durrës–Tiranë është konsideruar nga raporti si zhvillim pozitiv drejt përputhjes së plotë me rregullat e reja.
Hekurudhat, dobët
Segmenti hekurudhor Durrës–Tiranë–Elbasan–Lin–Kërçovë–Shkup është një nga më të rëndësishmit në rajon dhe ka kaluar nga rrjeti gjithëpërfshirës në Rrjetin e Zgjeruar Bazë (Extended Core).
Ky ndryshim tregon prioritetin që BE-ja i jep lidhjes ndërmjet porteve të Adriatikut dhe atyre të Detit të Zi. Megjithëse ka linja ekzistuese të amortizuara deri në Lin, segmenti Lin–Kërçovë mungon dhe kërkon ndërtim të ri për të përfunduar korridorin hekurudhor të Ballkanit Lindor-Mesdhetar (WBEM).
Afati për këtë hekurudhë, pjesë e rrjetit kryesor europian, është deri në vitin 2040.
Projekti për linjën hekurudhore Durrës–Tiranë–Rinas, në zbatim, është një hap konkret drejt integrimit multimodal dhe përmbushjes së kërkesave të reja të TEN-T për lidhje hekurudhore të aeroporteve. Nga e gjithë infrastruktura e transportit, Shqipëria është më e dobëta në transportin hekurudhor./ Monitor







