52.589 fermerë në total në të gjithë vendin kanë marrë financim nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, pasi janë shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë.
Referuar të dhënave zyrtare nga ky institucion disbursimi i fondeve të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 vijon intensivisht, ku deri më tani janë shpërndarë 2.1 miliardë lekë apo rreth 21 milionë euro, nga 3.2 miliardë lekë total që është fondi i akorduar për fermerët. Ndërsa pagesat për përfituesit e tjerë janë në proces.
Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë 8 masa në total: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); zhvillimin e bletarisë; mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera; kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; fermat organike; certifikimin Global GAP; mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Numri më i lartë i përfituese i takon skemës së naftës në bujqësi, ku mbi 37 mijë femerë kanë përfituar fondet në llogaritë e tyre bankare.
69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor për të pasur akse nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtarë të Mbështetjes 2025.
Më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, ndërsa interes të lartë ka pasur edhe për blegtorinë dhe bletarinë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, për masat 1-7 janë në total janë 7272 fermerë përfitues.
Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025, synohet ulja e kostove të prodhimit për fermerët, rritja e rendimentit dhe fuqizimi i prodhimit MadeinAlbania duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill dhe janë mbyllur me 30 maj 2025.
Skema Kombëtare i ka dhënë më shumë prioritet financimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat përfitojnë në masën 100%.
Ndërsa, mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar financim nga Skema e Subvencioneve në bujqësi përgjatë vitit 2024.
Raport për ndërhyrje kyçe në sektorin e bujqësisë/ Këshilli i Investimeve:
Nisma të reja për rritjen e formalizimit dhe zhvillimin rural
Sektori bujqësor po hyn në një fazë të re mbështetjeje, teksa Këshilli i Investimeve raporton progres në tre drejtime kyçe, financim, sigurim dhe nxitje të eksporteve.
Në fillim të vitit 2025 u prezantua skema e garancisë sovrane për bujqësinë, e cila synon të rrisë aksesin në kredi për fermerët dhe agrobizneset. Skema ofron norma interesi të subvencionuara nga 2% deri në 3.5% dhe mbulim deri në 70% të kredisë pa kolateral. Programi, që zgjat deri në fund të 2025, pritet të nxisë investimet në zonat rurale dhe të rrisë formalizimin e sektorit, ndërsa kërkesa nga fermerët raportohet e lartë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është puna për skemën e sigurimeve bujqësore. Pas marrëveshjes së dhjetorit 2024 me Qeverinë Turke, në mars 2025 u nënshkrua Plani i Veprimit për sigurimet në bujqësi, i cili synon zgjerimin e partneriteteve, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e instrumenteve të reja mbrojtëse për fermerët përballë riskut klimatik dhe tregtar. Ndërkohë, studime akademike të realizuara nga ekspertë vendas e të huaj kanë ndihmuar në krijimin e një baze teknike për projektimin e këtyre skemave.
Në fushën e eksporteve, një hap pozitiv është platforma Export Albania, krijuar nga AIDA me mbështetjen e MEKI dhe GIZ. Platforma u jep bizneseve informacion mbi tregjet e huaja, udhëzues eksporti, kalendar të panaireve dhe mundësi rrjetëzimi me kompani të huaja. Megjithatë, mungesa e përditësimit të rregullt kufizon potencialin e saj si mjet i plotë për eksportuesit. Ndërkohë, Programi Kombëtar i Eksporteve mbetet ende i papërfunduar, duke sinjalizuar nevojën për më shumë punë në harmonizimin e politikave dhe shërbimeve për bizneset.
Në përmbledhje, ndërhyrjet aktuale tregojnë përparim të prekshëm në financimin dhe mbrojtjen e fermerëve, si edhe në mbështetjen e eksporteve, por kërkojnë thellim, përditësim dhe koordinim më të fortë për të dhënë rezultate të qëndrueshme.







