Ambasada e Bashkimit Europian në Shqipëri organizoi një panair të dedikuar sektorit privat dhe ekonomisë qarkulluese, me qëllim promovimin e inovacionit dhe praktikave të qëndrueshme në bizneset shqiptare.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e informimit të bizneseve dhe qytetarëve lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë dhe tranzicionit të gjelbër që lidhet me një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces transformues që prek çdo pjesë të shoqërisë. Shqipëria dhe BE duhet të bëjnë më shumë për të komunikuar me qytetarët mbi ripërdorimin dhe riciklimin. Ne nuk imponojmë standarde, por duam të mbështesim bizneset që të adoptojnë praktika më të gjelbra dhe inovative”, tha Gonzato.
Sipas ambasadorit Gonzato, ky aktivitet nënkupton për kompanitë shqiptare një qasje më të lehtë në tregjet europiane, investime në teknologji dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillim dhe inovacion.
“Ne inkurajojmë të gjitha bizneset që të jenë të informuara dhe aktive në këtë proces, duke investuar në inovacion që ndihmon tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë,” shtoi Gonzato.
Ky panair, tha Gonzato, shërben si një mundësi për bizneset shqiptare që të adoptojnë praktika më të qëndrueshme dhe të përgatiten për sfidat e tregut europian.
“Një tranzicion i gjelbër për Shqipërinë duhet të jetë gjithëpërfshirës. Për kompanitë shqiptare kjo do të thotë një qasje më e lehtë të tregjet evropiane dhe investimet në teknologji dhe ky plan krijon mjedisin më të favorshëm që Shqipëria ka pasur për të çuar para tranzicionin e gjelbër. Inkurajoj të gjitha bizneset që të qëndrojnë të informuara dhe të jenë pjesëmarrëse aktive në tranzicionin e gjelbër dhe të investojnë në inovacion”, tha Gonzato.







