Diskutimet për portofolin e shqiptarëve në vitin 2026 kanë nisur tashmë në Komisionin e Ekonomisë. Nën drejtimin e Milva Ekonomit, deputetët kanë pritur sot në dëgjesë përfaqësuesit e biznesit, bankave dhe fermerëve, të cilët kanë paraqitur një listë kërkesash për ndryshime në Paketën e re Fiskale.
Ushqimet dhe prodhimi
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ka kërkuar uljen e TVSH-së për produktet e shportës. Duke sjellë shembullin e vendeve të rajonit, Jaka sugjeroi se kjo masë, së bashku me rishikimin e TVSH-së për industrinë agro-ushqimore, do të ndihmonte konsumatorin dhe formalizimin e tregut. Gjithashtu, u kërkua përjashtimi nga TVSH për importin e makinerive në sektorin e energjisë dhe prodhimit.

Bankat: 500 mijë lekë cash janë shumë
Një qëndrim erdhi nga Shoqata e Bankave. Sekretari Spiro Brumbulli vlerësoi vendosjen e një tavani për pagesat në dorë (cash), por e cilësoi kufirin prej 500 mijë lekësh si ende shumë të lartë. Sipas bankave, nëse duam të luftojmë vërtet informalitetin, ky prag duhet të jetë më i ulët për të detyruar kalimin e transaksioneve në rrugë bankare.
Fermerët
Gentian Lalaj (Shoqata e Blegtorëve) dhe Eduart Sharka (Sindikata e Fermerëve) u fokusuan te skema e TVSH-së.
U kërkua që kompensimi i TVSH-së prej 10% të bëhet me faturim direkt nga fermeri dhe jo vetëm përmes autofaturave të grumbulluesve. U propozua zbatimi i subvencioneve bazuar në litra prodhim (për qumështin) për të paktën 2 vite.
Sharka paralajmëroi se skema aktuale rrezikon të krijojë pabarazi, pasi rreth 40% e fermerëve tregtojnë me biznese të vogla që nuk janë subjekt TVSH-je.
Rivlerësimi i pronave
Për ata që presin të rivlerësojnë shtëpitë, lajme erdhën nga Shoqata e Pasurive të Paluajtshme (NAREA). Reinaldo Pipiria kërkoi që tatimi për rivlerësimin e banesave të individëve të ulet nga 5% (siç është propozuar) në 3%, si dhe të ketë një zgjatje të afatit për këtë proces.
Pas dëgjesës, kryetarja Milva Ekonomi njoftoi se diskutimet do të vijojnë, ndërsa u miratua kalendari i punës deri më 19 dhjetor 2025, datë kur pritet të mbyllet sesioni parlamentar. RTSH







