Më 30 tetor 2025, Haki Sala u shtrua në QSUNT në pavijonin e urologjisë për një ndërhyrje të planifikuar. Gjithçka shkoi sipas protokollit. Operacioni u realizua me sukses dhe i vendosën kateterin e parë që më pas u hoq normalisht. Më pas iu vendos kateteri i dytë dhe pak momente më vonë, kur Vera Sala, gruaja e tij, zbriti për të blerë diçka, Haki Sala zhduket nga dhoma e spitalit.
Vera tregon me shqetësim në emisionin “Stop” në Tv Klan se askush nuk e kishte parë të shoqin, as në spital, as rrugës, as në shtëpi. Policia e Komisariatit 4 erdhi vetëm pas pesë orësh, por pa bërë asgjë konkrete. As kamerat nuk u hapën menjëherë. Mjeku specialist që e kishte operuar Hakiun konfirmoi se pacienti nuk kishte asnjë sëmundje mendore.
Në përpjekje për të gjetur Hakiun, Vera kontaktoi policinë. Shefi i Komisariatit 4 konfirmoi se kishte nisur kërkimi, ishin afishuar fotografitë e Hakiut në të gjithë Shqipërinë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion.
Shefi i Komisariatit nr. 4: Rasti është shpallur në kërkim, ky personi si person i humbur dhe jemi duke e verifikuar akoma.
Gazetarja: I keni sekuestruar kamerat e QSUNT për të parë në cilin drejtim ka ikur?
Shefi i Komisariatit nr. 4: Tani kaq mund të të them tani për tani!
Gazetarja: Foton, mjetet identifikuese i keni shpërndarë nëpër qytet?
Shefi i Komisariatit nr. 4: Po i kemi ato, se ato janë gjërat e para, janë veprimet e para.
Gazetarja: Nuk ka as ndonjë reagim nga ndonjë qytetar?
Shefi i Komisariatit nr. 4: Po s’ka, nuk ka se ne e kemi bërë shpalljen gjithandej. Kemi kërkuar në çdo qark të Shqipërisë. Nuk është gjetur! Edhe unë kam folur edhe me atë zonjën pothuajse përditë, nuk është gjetur!
Gazetarja: Nuk ka ndonjë indicie?
Shefi i Komisariatit nr. 4: Tani ne jemi duke e kërkuar, pothuajse çdo ditë! Jo pothuajse, por çdo ditë! Tani, sapo ta gjejmë… nuk e gjejmë dot me zor, jemi duke e kërkuar. Ia kam sqaruar edhe zonjës. E kemi verifikuar edhe një rast në Vlorë që kishim dërguar njerëzit për ta verifikuar, nuk ishte ky personi dhe nuk …, s’po e gjejmë dot! Nuk e dimë ku është! Më vjen shumë keq, sepse është rast i ndjeshëm, e kuptoj edhe zonjën, po tani nuk është se e kemi diku dhe s’po e tregojmë! Jemi duke e kërkuar në vazhdimësi! Na vjen keq edhe neve për zonjën, por me zor s’e gjejmë dot!
Situata ka shkaktuar tronditje dhe dyshim për sigurinë e pacientëve në QSUNT, pasi një person i shtruar dhe i operuar mund të zhduket pa lënë gjurmë.







