Shtyhet për javën e ardhshme, mbledhja e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, për shqyrtimin e kërkesë-padisë së bërë nga qeveria për çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Raportohet se Kolegji i përbërë nga Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, pritej të mblidhej këtë të enjte, më 27 nëntor, por e ka shtyrë mbledhjen për javën tjetër. Kjo për t’i dhënë kohë anëtares që iu bashkua treshes, pas largimit të kryetares Holta Zaçaj.
Gjykata Kushtetuese lidhur me mbledhjen e sotme njoftoi për mediat se: “Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025. Vendimmarrja e Kolegjit do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.”
Në mbledhjen e ardhshme pritet të vendoset nëse kërkesa e qeverisë do të kalojë apo jo për shqyrtim nga Kolegji.
Pas largimit të gjyqtares Holta Zaçaj, Kolegji është plotësuar me anëtaren Marsida Xhaferllari, e cila është aktualisht kryetare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Relator i çështjes është gjyqtari Sandër Beci, ndërsa anëtarja e tretë është Sonila Bejtja.
“Është mbledhur edhe më herët në dhomë këshillimi treshja e trupës gjykuese, por për shkak të largimit të gjyqtares Holta Zaçaj, e cila po ashtu ishte një prej anëtarëve të caktuar për kërkesën e bërë nga ana e kryeministrit dhe e Këshillit të Ministrave, automatikisht u ndoqën të gjitha procedurat për të përcaktuar më pas gjyqtarin tjetër që do ta pasonte. Aktualisht, postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese e merr gjyqtarja më e vjetër, e cila është Marsida Xhaferllari, dhe automatikisht kjo e fundit është bërë pjesë e kësaj trupe gjyqtarësh,” tha Daci.
Sjellim ndërmend se në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, qeveria argumenton se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut ka krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe gjykatës së posaçme, nga ana tjetër. Për këtë arsye, ekzekutivi kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO-së deri në një vendim përfundimtar të Kushtetueses.
Mbrotja e Veliajt ne Kushtetuese
Nga momenti i arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës kanë kaluar nëntë muaj dhe vazhdon të mbahet si i paraburgosur, por Erjon Veliaj këmbëngul se prangosja e tij është antikushtetuese.
Me një qëndrim të tillë avokatët e kryebashkiakut i dorëzuan Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizim të masës arrest në lënë në fuqi nga dhjetë shkurti prej të treja shkallëve të gjyqësorit.
Argumenti i parë është ai rreth jo propocionalitetit ndërsa siç bëjnë me dije burimet pranë gjykatës kushtetuese avokatët kanë bashkangjitur edhe verdiktet konkrete. Qëllimi i tyre për t’i ilustruar gjyqtarëve kushtetues se nuk ekzistojnë kushtet për ta hetuar në gjendje arresti.
Mbrojtja i përmend sërish gjykatës kushtetuese edhe raportin e Komisionit të Venecias, që flet nuk mund të ndalohet me burgim kryetarët e pushtetit lokal, në kushtet kur nuk përbën rrezik, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Tre javë më parë gjykata kushtetuese i dha të drejtë kryetarit të bashkisë së Tiranës, duke rrëzuar qeverinë që e kishte shkarkuar e duke hedhur poshtë dekretin e presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet. vendimi u dha me pesë vota pro, ndërsa u theksua se ndaj Veliajt u mbajt një proces i parregullt ligjor.
Me një urdhër të kushtetueses që deklaroi kthimin në detyrë te Erjon Veliajt, procesi penal që bazohet në hetimet e SPAK vazhdon në gjykatën antikorrupsion jo vetëm kundër funksionarit por edhe 29 të pandehurve të tjerë mes tyre biznesmenë dhe 12 janë organizata jo fitimprurëse të cilave dyshohen se u janë miratuar fonde që sipas SPAK kanë përfunduar tek Ajola Xoxa dhe persona të afërt. ky proces është në seancë përgatitore dhe mbas kërkesës për tu njohur me fashikujt e SPAK në paraburgim, procesi do të mbahet të datën dy dhjetor.







