Aksidentet rrugore u ulën me 18.3 për qind gjatë muajit tetor ndërkohë që si 10 mujor kjo ulja ishte në nivelin 16.5 për qind.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave që janë ende paraprake tregojnë se vetëm në tetor 2025 janë regjistruar 116 aksidente rrugore, nga të cilët 164 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).
“Gjatë periudhës Janar – Tetor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 16,5%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në njoftimin e INSTAT.
Në shumicën e rasteve shkak për aksidentin duket se është sjellja që drejtuesit e mjeteve kanë në timon ndërkohë që jo në pak raste duket se shkak janë bërë edhe këmbësorët. Grupmosha që mban peshën më të madhe të aksidenteve të shkaktuara është ajo mes 24-35 vjeç.
“Në muajin Tetor 2025, aksidentet rrugore, në 81,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 25,9% të numrit total të aksidenteve
Në muajin Tetor 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Premte me 19,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Martë me 8,6%.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, në muajin Tetor 2025, ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00 – 12:00, duke zënë 25,0% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej”, nënvizon INSTAT.







