Qeveria ka miratuar 28 zona të reja me përparësi zhvillimi në bashkitë Shkodër, Mat dhe Shijak. Çdo individ që ka në përdorim një tokë prej më shumë se 10 vitesh, ka një plan biznesi dhe kërkon të investojë në këto zona, mund të përfitojë blerjen e tokës me një vlerë simbolike prej 1 euro.
Konkretisht, referuar vendimit të qeverisë, 3 zonat e përcaktuara në Bashkinë Mat, janë zona e liqeneve të Gërmanit, fshati Selixë, zona ish-Vila e Zogut, fshati Selixë, zona e kurorës së fshatit Selixë; pjesë e njësisë administrative Komsi, më një total prej 620 ha tokë.
Në bashkinë Shijak, janë përcaktuar 20 zona me përparësi zhvillimi, siç janë njësia administrative Maminas, zona Rubjek; rezervuari Rubjek 1 dhe 2; njësia administrative Maminas, zona Karrec; rezervuari i Karrecit, njësia administrative Maminas, zona Metallë; rezervuari i Metallës dhe Karpenit; njësia administrative Gjepalaj, zonat Shetël dhe Likesh; rezervuari i Callikës; njësia administrative Gjepalaj, zona Çizmeli, njësia administrative Gjepalaj, zona Kënetë, rezervuari i Shtrazës, njësia administrative Gjepalaj, zona Gjepalaj, rezervuari i Terzies. Në total 302 hektarë në dispozicion për t’u investuar.
Në bashkinë Shkodër, është përcaktuar njësia administrative Shalë, fshati Theth; njësia administrative Shalë; fshati Nderlysaj, njësia administrative Guri i Zi, fshati Rragam; njësia administrative Guri i Zi, fshati Sheld; njësia administrative Guri i Zi, fshatrat Mazrek – Shpor. Në total, në këtë bashki janë 4420 hektar, që janë të gatshme për investim në këtë bashki.
Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë ato të zhvillimit ekonomik; industriale dhe turistike.
Ndërkohë në fillim të muajit qeveria shpalli zonat e para me përparësi zhvillimi në Elbasan, Belsh, Përmet dhe Skrapar, në kuadër të “Paketës së Maleve”.







