Njëra nga dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare që u qëlluan të mërkurën në Washington DC ka humbur jetën, njoftoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, raporton BBC.
Sarah Beckstrom, 20 vjeçe, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, konfirmoi presidenti mbrëmjen e së enjtes. Anëtari i dytë i Gardës Kombëtare, Andrew Wolfe, 24 vjeç, “po lufton për jetën”, shtoi ai.
Të dy ushtarakët u qëlluan nga afër pranë Farragut Square, në qendër të qytetit, pak pas orës 14:00 me kohën lokale të mërkurën. Policia arrestoi të dyshuarin, Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, shtetas afgan.
Presidenti Trump konfirmoi vdekjen e Beckstrom gjatë një bisede të Ditës së Falënderimeve me pjesëtarë të forcave amerikane.
“Sarah Beckstrom nga Virxhinia Perëndimore… shumë e respektuar, shumë e re, një person i mrekullueshëm… Ajo sapo ka ndërruar jetë”, tha ai.







