Gara synonte të testonte kufijtë fizikë dhe aftësitë taktike të ushtarëve, si dhe të forconte ndërveprimin ndërkombëtar mes kontingjenteve të ndryshme
Në kampin “Villagio Italia” në Pejë është zhvilluar një nga aktivitetet më kërkuese sportive-ushtarake të vitit, ku trupat shumëkombëshe të Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, bashkë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, morën pjesë në “Konkursin Ushtarak të Ushtarit më të Mirë”.
Gara synonte të testonte kufijtë fizikë dhe aftësitë taktike të ushtarëve, si dhe të forconte ndërveprimin ndërkombëtar mes kontingjenteve të ndryshme.
Sipas njoftimit të misionit të NATO-s në Kosovë, pjesëmarrësit u përballën me një marshim të vështirë 15 kilometra, të pajisur me kompletin e plotë të pajisjeve luftarake.
Përgjatë itinerarit, ata u testuan në një sërë provash që kombinonin elemente sportive dhe taktike:
— vrapim dhe ushtrime intensive fizike,
— sfida të qëndrueshmërisë në kushte të vështira,
— detyra taktike, përfshirë hedhjen e granatave,
— skenarë CBRN (kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor),
— ushtrime të furnizimit dhe logjistikës,
— ngjitje dhe zbritje në terren të pjerrët,
— kalim me tirol,
— si dhe prova qitjeje.
KFOR vlerësoi lart angazhimin dhe performancën e ushtarëve, duke theksuar se gara tregoi vendosmërinë, disiplinën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërkombëtar.
Sipas misionit, këto vlera janë thelbësore për përmbushjen e misionit të KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Aktiviteti, përveç karakterit garues, shërbeu edhe si platformë për shkëmbim përvojash dhe forcim të partneritetit mes forcave të ndryshme, që operojnë në kuadër të NATO-s.







