Në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë që do të mbahen më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka deklaruar se janë regjistruar gjithsej 23 parti politike, ku vihet re një rikompozim i ndryshëm koalicionesh krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur të paraqitet me një format të ri koalicioni “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje!”, në të cilin përfshihen partitë Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK). Ky koalicion zëvendëson modelin e mëparshëm kur kandidatët e Guxo-s dhe Alternativës përfshiheshin drejtpërdrejt në listën e LVV-së.
Ndryshe nga LVV-ja, partitë e mëdha opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë vendosur të garojnë si subjekte të vetme. Po ashtu edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt do të dalë e pavarur në zgjedhje, pas ndarjes nga koalicioni i mëparshëm me AAK-në në zgjedhjet e 9 shkurtit
Përveç koalicionit të Vetëvendosjes, në KQZ janë paraqitur edhe dy bashkime të tjera parazgjedhore si “PAI – PDAK – LPB”, që bashkon partitë e komunitetit ashkali dhe “Koalicija VAKAT”, që përfaqëson partitë boshnjake DSB, BSK dhe DSV.
Më 20 nëntor, Presidentja Vjosa Osmani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pasi të dy kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk arritën të krijojnë qeverinë 9 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.







