Festivali Europian i Këngës Eurovision po përballet me një moment vendimtar. Të enjten, anëtarët e Unionit Europian të Transmetimeve (EBU) pritet të diskutojnë dhe të votojnë mbi pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e vitit 2026, mes kërcënimeve për bojkot nga disa vende për shkak të luftës në Gaza.
Transmetuesit publikë të Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Holandës kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga gara nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë, duke përmendur numrin e lartë të viktimave palestineze, që sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza ka kaluar mbi 70 mijë.
Eurovision synon të jetë jo-politik
Festivali i përvitshëm i muzikës pop, i ndjekur nga rreth 150 milionë shikues në mbarë botën, synon të jetë jo-politik, por lufta në Gaza e ka futur në polemika. Një bojkot nga disa prej mbështetësve më të mëdhenj europianë të konkursit, përfshirë Spanjën, rrezikon një rënie të madhe të audiencës dhe sponsorizimeve.
Këtë vit, kritikët akuzuan Izraelin se kishte ndikuar padrejtësisht në renditjen e dytë të këngëtarit të tij Yuval Raphael, i mbijetuar i sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit që ndezi konfliktin.
Izraeli nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave, por shpesh argumenton se përballet me një fushatë shpifjesh globale.
“Shpresojmë shumë që paketa e masave të sigurojë anëtarët se kemi marrë masa të forta për të mbrojtur neutralitetin dhe paanshmërinë e Festivalit të Këngës,” tha EBU.
Eksperti i Eurovision-it, Paul Jordan, i cili ka kryer doktoraturë mbi konkursin, e quajti këtë një “moment vendimtar” për garën. “Kjo është një pikë krize e vërtetë për Eurovision dhe EBU-në… Mendoj se me shumë gjasë duhet të shkojë në votim,” tha Jordan, sipas Reuters.
Ben Robertson nga faqja e fansave ESC Insight vuri në dukje ndikimin e mundshëm të humbjes së audiencës, por shtoi se pa përfshirjen e Izraelit, Eurovision rrezikon të bëhet më i izoluar.
Norvegjia i quan ndryshimet e propozuara ‘premtuese’
Transmetuesi RTL i Luksemburgut i mbështeti ndryshimet e propozuara, ndërsa transmetuesi norvegjez NRK i përshkroi sinjalet e EBU-së për ndryshime të mëdha si “premtuese”.
Nëse një votim kundër Izraelit do të ishte i suksesshëm, Gjermania me shumë gjasë do të tërhiqej dhe nuk do ta transmetonte konkursin, tha një burim i industrisë së transmetimit për Reuters.
Transmetuesi gjerman ARD nuk komentoi, ndërsa transmetuesi austriak ORF, që do të jetë organizator, dëshiron që Izraeli të marrë pjesë.
Burime brenda transmetuesit izraelit KAN i thanë Reuters se besojnë se diskutimet për përjashtimin e Izraelit janë të pajustifikuara, duke theksuar se KAN është në përputhje të plotë me rregullat e EBU-së. Ata gjithashtu vunë në dukje mbështetjen e KAN për artistët izraelitë që kanë dhuruar performanca të cilësuara si të paharrueshme në Eurovision.
Sjellim ndërmend se Rusia është gjithashtu e përjashtuar nga Eurovision që prej pushtimit të disa pjesëve të Ukrainës në vitin 2022.







