Ndryshe nga shefja e tij Marta Kos, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato u shpreh më prerë për raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri. Ai theksoi se politika duhet të përmirësojë rregullat e procesit dhe se Brukseli pret adresimin e problemeve të evidentuara.
Sipas Gonzatos, raporti final i OSBE/ODIHR vuri në dukje probleme serioze, si keqpërdorimi i burimeve shtetërore, pabarazia në fushatë, mbikëqyrja e kufizuar dhe nevoja për më shumë neutralitet institucional e transparencë në financimin politik. Ai tha se zgjidhja e këtyre çështjeve është thelbësore për zgjedhjet e ardhshme dhe për negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, paraqiti propozime konkrete për sanksione ndaj partive që nuk raportojnë financat: sipas tij, ato nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje pa dorëzuar raportet dhe pa paguar gjobat përkatëse.
Në tryezë ishin edhe bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Damian Gjiknuri theksoi se konsensusi është i vështirë, sidomos kur ligjet prekin interesat e partive, ndërsa Oerd Bylykbashi nënvizoi se prioritet duhet të jetë sigurimi i burimeve të ligjshme dhe të pastra të financimit për partitë.
Komisioni ka rënë dakord që të nisë punën me hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike, i cili duhet të përfundojë deri në fund të dhjetorit.







