Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, deklaroi se lëvizja e përfaqësuar nga Ervin Salianji nuk ka shanse të rrëzojë Sali Berishën nga drejtimi i Partisë Demokratike. Sipas Dukës, në Shqipëri asnjë kryetar partie nuk largohet i detyruar, por vetëm nëse vendos vetë.
Duka theksoi se në politikën shqiptare mungojnë shembuj realë të largimit të kryetarëve nën presion të brendshëm. Ai përmendi rastet e Fatos Nanos dhe të zhvillimeve në Partinë Socialiste, duke ironizuar se edhe një shoqatë peshkatarësh nuk jep dorëheqje lehtë, e jo më një parti e madhe. “Po s’u tërhoq vetë Sali Berisha, është pothuajse e pamundur ta lëvizësh. Nuk ka asnjë rast në Shqipëri që një kryetar partie është larguar me lobime apo me presion të brendshëm,” u shpreh ai në Off The Record me Andrea Dangllin.
Duka kritikoi edhe vendimet e së kaluarës brenda opozitës, duke i cilësuar si “gabime të rënda”, përfshirë braktisjen e parlamentit dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Sipas tij, këto veprime dobësuan strukturat në bazë, të cilat sot janë “të përgjumura” dhe të paorganizuara. Ai theksoi se çdo ndryshim kërkon punë në terren, kontakt me qytetarët dhe ringritje të organizimit bazë, gjë që sipas tij mungon, shkruan A2 CNN.
Kreu i PAA-së shtoi se lëvizja e re mund të jetë pozitive si frymë, por nuk ka mundësi reale të prodhojë rotacion në krye të PD-së. “Zëvendësimi i kryetarit bëhet vetëm kur ai vetë mendon të lirojë krahun. Përndryshe, është pothuajse i pamundur,” tha Duka. Ai kujtoi se edhe Lulzim Basha erdhi në krye të PD-së pas dorëheqjes së paraardhësit, duke nënvizuar se votimet formale nuk kanë rol vendimtar.







