nga Patrik Sadikaj
Së fundmi po dëgjohet gjithnjë e më shpesh një kor drejtuesish demokratë, duke nisur nga Berisha, që artikulojnë një gënjeshtër të ëmbël për demokratët e lodhur nga opozita.
Në ekrane, foltore e sheshe thuhet se Edi Rama i paska ditët e numëruara, se është vetëm çështje ditësh që ai të largohet nga pushteti, se drejtësia do ta arrestojë, se amerikanët ia paskan “mbyllur llogaritë”, e shumë histori të tjera të ngjashme.
Këto gënjeshtra nuk janë të reja, por kohët e fundit janë shtuar dhe përhapen në portale si kërpudha pas shiut. Demokratët e shqetësuar fillojnë t’i besojnë këto përralla pushteti që ngrohin shpirtin me shpresën e një posti apo një rroge shteti. Ajo që është edhe më e keqe, është fakti se vetë drejtuesit e PD, duke i përsëritur kaq shpesh këto “profeci”, fillojnë dhe i besojnë edhe vetë. Kështu, gënjeshtra trashet, lyhet me fjalë të mëdha dhe shndërrohet në të vetmen “alternativë” të opozitës.
Në këtë mënyrë, demokratët ushqehen me iluzione për rrëzimin e Ramës, ndërsa lidershipi i opozitës ruan karrigen e vet në krye të PD. Në vend që të krijojnë alternativa të vërteta qeverisëse, ide të reja dhe programe më të mira se ato të Ramës, ata zgjedhin të mashtrojnë veten dhe të tjerët.
Pikërisht për këtë arsye, Rama zgjat pushtetin e tij, ndërsa PD thellon hendekun që e ndan nga mundësia reale për të rivendosur balancën e politikës.
Edi Rama, pavarësisht mijëra skandaleve të qeverisë së tij, vijon të qëndrojë i qetë në pushtet, duke shpresuar që opozita të vazhdojë të gënjejë veten deri në zgjedhjet e radhës—të cilat ai prapë do t’i fitojë, nëse PD vijon të fluturojë mbi ëndrra të pavërteta.
Rama nuk rrëzohet duke gënjyer veten. Ai mund të mposhtet vetëm duke ndërtuar një alternativë të vërtetë. Dhe për sa kohë që kjo mungon, ai dhe Partia Socialiste nuk do të kenë asnjë rrezik real, e jo më të kenë ditët apo muajt e numëruar.







