Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur ashpër ish-deputetit të tij Ervin Salianji pas takimit të këtij të fundit me strukturat e PD-së në Durrës, ku kërkoi rifreskimin e partisë.
Pjesëmarrja e lartë në atë takim bëri që Berisha ta cilësonte një axhendë personale të Salianjit, teksa kujtoi se ish-deputeti ka një zonë ku duhet të bëjë analizën. Ai tha gjithashtu i kujtoi Salianjit se nuk është i votuar si anëtar kryesie dhe se pjesëmarrësit në takimin e tij, ishin të pakënaqur që nuk u futën në listat për kandidatë për deputetë dhe njerëz që në fushatë kanë punuar për PS.
“Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore. Ju lutem korrigjojeni. Po, është një anëtar kryesie, i cili ka një axhendë personale, i uroj ta vazhdojë sa të ketë qejf. Është një anëtar kryesie, i cili është i kooptuar në kryesi, i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme, i cili ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizën dhe të gjitha. Do të ketë axhendë personale, ta vazhdojë gjer në fund. Se çfarë ishte salla, atë e di unë. Me të pakënaqur që nuk ishin në listat për deputet dhe njerëz që në fushatë kanë punuar për PS. Të thuash si ai që demokratët nuk po pyeten, është mashtrim…”, tha Berisha mes të tjerave para parlamentit
Megjithatëse nuk iu përgjigj pyetjes nëse do ta përjashtonte Salianjin, Berisha nuk ia njohu kontributin për fitoren në Bashkinë e Kavajës dy vjet më parë.
“Ai është i ngarkuar, ka një zonë, ku duhet të bëjë analizën, ka marrë pjesë në analizë në atë zonë, është anëtar kryesie. Ai ka të drejtë të shtrojë çdo gjë në kryesi dhe çdo gjë në zonën ku është caktuar. Zgjedhja është thelbi i lirisë. Ai ka bërë atë zgjedhje, e gëzoftë zgjedhjen”, vijoi më tej Berisha.
Berisha: I përgëzoj demokratët e Durrësit që e braktisën takimin, aty kishte njerëz që kanë punuar për PS-në
Edhe njëherë i përgëzoj anëtarët dhe demokratët e Durrësit, të cilët e braktisën, i përgëzoj.
Aty ishin një grup të pakënaqurish që nuk u futën në listat për deputetë, kishte të tjerë që punuan për PS, ç’është e vërteta dhe që kanë frikë analizën që do bëhet se do u dalë.
Do jetë analiza.
Absolutisht jo, nuk janë ngritur këto akuza fare.
Prandaj duhet analiza në parti.
Se ata që i kanë tradhtuar militantët dhe punuan për Ani Dyrmishët dhe të tjerët, sigurisht do japin hesap para strukturave.
Ata të cilët morën udhëtime turistike gjatë fushatës… po paralajmëroj llogaridhënie.
Ata të cilët zgjodhën turizëm në mes të fushatës, ata sigurisht bashkohen se kanë qëllimet e tyre.
Edhe njëherë i përgëzoj demokratët e Durrësit dhe i garantoj se do ketë një llogaridhënie të plotë nga të gjitha strukturat, të gjithë drejtuesit.
Thashë edhe njëherë, axhenda private, disa prej tyre që i njoha, pashë individë që kanë punuar për Ami Dyrmishët, pashë të tjerë që ia kanë mbathur në mes të fushatës për turizëm në mënyrë të dokumentuar.
Tani këta nuk mund të më impresionojnë mua.







