Një zjarr i fuqishëm në një klub nate shumë të frekuentuar në rajonin bregdetar të Goa-s, Indi, ka shkaktuar vdekjen e 25 personave, sipas autoriteteve lokale. Shumica e viktimave dyshohet të jenë punonjës të klubit në zonën Arpora, në Goa-n e Veriut, ndërsa mes të vdekurve ka edhe turistë, raporton BBC.
Sipas hetimeve paraprake, zjarri nisi pasi një bombol gazi shpërtheu në kuzhinën e klubit, duke shkaktuar përhapjen e menjëhershme të flakëve rreth mesnatës së së shtunës.
Autoritetet të dielën në mëngjes konfirmuan se numri i viktimave u rrit nga 23 në 25, ndërsa gjashtë persona të tjerë po trajtohen në spital dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Dëshmitarë në vendngjarje përshkruan skena paniku në zonën e njohur për jetën e gjallë të natës.
“Zjarri ishte përqendruar kryesisht në zonën e kuzhinës në katin përdhes,” tha Alok Kumar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Goa-s.
“Zjarri shpërtheu rreth mesnatës dhe tashmë është vënë nën kontroll,” shtoi ai.
Sipas tij, shumica e trupave u gjetën pranë kuzhinës, çka përforcon dyshimin se viktimat ishin kryesisht punonjës të lokalit.







