Enti Rregullator i Ujit ka miratuar modelin dhe udhëzuesin e ri të planit të biznesit 5-vjeçar për të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, një dokument që përcakton qartë se tarifat e ujit duhet të mbulojnë 100% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Metodologjia e re synon të forcojë stabilitetin financiar të shoqërive dhe të rrisë transparencën në procesin e vendosjes së tarifave, teksa pritet të sjellë rritje tarifash për një sërë kompanish.
Ndërkohë, të dhënat e fundit të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se në vitin 2024, shoqëritë arritën të mbulojnë 107% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, një përmirësim i dukshëm krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, vetëm 5 nga 17 shoqëri arritën të mbulojnë mbi 100% të kostove, ndërsa 12 shoqëri të tjera vazhdojnë të varen nga subvencionet e qeverisë për të qëndruar financiarisht funksionale. Problemet më të mëdha lidhen me borxhet e trashëguara, mungesën e stafit të kualifikuar dhe dokumentacionin financiar të pasaktë.
ERRU nënvizon se përmirësimi i gjendjes financiare kërkon gjithashtu unifikimin e tarifave brenda secilës zonë të shërbimit, një proces që për disa shoqëri është i realizueshëm menjëherë, pasi tarifat ekzistuese janë të përafërta. Megjithatë, rritjet e tarifave nuk mund të aplikohen njëlloj kudo.
Shembuj të tillë janë shoqëritë rajonale të Durrësit dhe Korçës, ku diferencat e trashëguara tarifore janë shumë të larta. Në këto raste, ERRU paralajmëron se një tarifë unike e menjëhershme do të sillte rritje të fortë të faturave për një pjesë të konsumatorëve, duke rrezikuar edhe uljen e normës së arkëtimit për shkak të refuzimit të pagesave.
Për këtë arsye, rregullatori rekomandon që unifikimi i tarifave të bëhet gradualisht, duke vlerësuar situatën konkrete të çdo shoqërie dhe ndikimin real tek konsumatorët.







